Premtim elektoral? Donald Trump pro legalizimit të marijuanës në Florida

BOTA


Kandidati për president në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump dha sinjale se do të mbështesë legalimin e marijuanës për përdorimin personal në Florida, pak përpara zgjedhjeve të nëntor.

Qëndrimi i ish-kreut të Shtëpisë së Bardhë bie në kundërshti me atë të disa figurave të larta republikane, përfshirë guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis i cili argumenton se legalizimi i kanabisit për qëllime rekreative do të ishte një “e keqe për cilësinë e jetës”.

Përdorimi i kanabisit për arsye personale dhe mjekësore është i ligjshëm në 24 shtete të SHBA-së, sipas Qendrës Kërkimore Pew. 14 shtete të tjera e kanë legalizuar marijuanën mjekësore.

“Dikush nuk duhet të jetë kriminel në Florida, kur kjo është e ligjshme në shumë shtete të tjera. Ne nuk kemi nevojë të shkatërrojmë jetë dhe të shpërdorojmë dollarët e taksapaguesve”, tha ish-presidenti.

Propozimi është një nga disa ndryshimet që banorët e Floridës do të votojnë në nëntor në të njëjtën kohë kur SHBA zgjedh presidentin e ri.

Në lidhje me legalizimin e marijuanës për përdorim personal, raporton A2 CNN, Trump tha se do të duhet të ketë rregulla për të “ndaluar pirjen e saj në hapësira publike, kështu që të tjerët të mos e ndjejnë erën e saj kudo që shkojnë”. 



Skip to toolbar