Presidenti i Republikës së Çekisë, Millosh Zeman në konferencën për shtyp të mbajtur së bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se shteti i tij do të shqyrtojë tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës brenda një muaji.
Pak më herët bëri bujë pëshpëritja e Zeman “në veshin” e Vuçiç se atij “nuk i pëlqen Kosova”.
Por në konferencë Zeman ka dalë hapur kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Presidenti Zeman ka rol ceremonial në Çeki. Madje ai e ka bërë të ditur se vendimin për tërheqjen ose jo të njohjes së Kosovës do ta marrin institucionet e tjera të shtetit, duke shtuar se nuk mund të imponojë qëndrimin e tij.
“Unë nuk mund të imponoj pozicionin tim, por ajo që mund të bëj është që të jap një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, rreth asaj nëse është e mundur ta tërheqim njohjen”, ka shtuar presidenti çek.
Çekia është në listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, po mesa duket lobimi serb po jep rezultatet e tij të para.