Presidenti i një shteti paralel

AKTUALITET


Nga Mero Baze

E vetmja ngjarje pozitive nga Komisioni Hetimor për veprimtarinë e presidentit, ishte Ilir Meta i veshur me kostum. Pas shafqjes të së shtunës me brekë në plazh, duke ndihmuar një mace në majë të tendës, performanca e sotme, jep shpresë së paku për shëndetin mendor. Por nga ato që tha me dhe pa dashje, ai demonstroi se është president i një shteti paralel, dhe jo president i Shqipërisë. Nuk di të them a duhet të hetohet penalisht a jo për këtë, por së paku një herë të shkarkohet. Në rrëmin e tij para Komisionit, ai pranoi se kishte marrë vendime bazuar në informacione që nuk i disponon shteti shqiptar.


Fjala vjen, vendimi për shtyrjen e 30 qershorit, sipas tij, ishte marrë në kushtet kur ai ishte informuar nga burime të tjera të tij. Shërbimi Informativ Shtetëror, nuk e ka pasur ndonjë informacion për djegie Parlamenti. Policia jo. “Burimet e tjera” të Ilir Metës, nuk na interesojnë, por nuk janë burime të shtetit shqiptar. I vetmi argument në këtë pikë është nëse ka përgjuar mesazhet e gruas së tij me Lulin, dhe nëse ata kanë pasur ndonjë plan për ta djegur. Por nëse e ka pasur këtë informacion dhe nuk ka denoncuar, është dhe më keq për të. Ne, në të vërtetë e dimë pse e shtyu 30 qershorin.

E shtyu për t’i vënë zjarrin Parlamentit, dhe jo për ta shmangur atë. E shtyu për t’i vënë akën vendit dhe jo për ta shpëtuar atë. Por dhe në këtë version nuk ndryshon gjë fakti që ai sillet si presidenti i një shteti parallel, dhe jo presidenti i Shqipërisë. Argumentet e tij ligjore, po ashtu janë jashtë Kushtetutës sonë. Ai i referohet ose Kushtetutës së Ramiz Alisë, ose ndonjë precedenti të huaj, që duket se ja kanë përkthyer dhe gabim, ku nuk ka asnjë ngjashmëri me historinë tonë. Shtyrja e 30 qershorit nuk ngjan me asgjë, vetëm për shkak të faktit se është shtyrje zgjedhjesh.

Shtyrje zgjedhjesh mund të ketë pasur dhe mund të ketë në të ardhmen. Dekreti i Ilir Metës nuk ishte për shtyrje zgjedhjesh, por për prishje zgjedhjesh dhe për ta lënë Shqipërinë pa institucion të zgjedhjeve. Zgjedhjet shtyhen kur palët bien dakord. Zgjedhjet shtyhen kur vendi është në luftë. Zgjedhjet shtyhen kur ke qëllim të bësh zgjedhje. Dhe rast të tillë nuk ka askund as në Shqipëri, as në botë, përveçse në shtetin paralel të Ilir Metës. Së fundmi, vendimet e Ilir Metës janë marrë dhe kundër interesit kombëtar të shqiptarëve, pasi janë përdorur si një mënyrë për t’u koniktuar me dy aleatët strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe Bashkimit Europian.

Ilir Meta ka marrë qëndrime zyrtare publike kundër të dërguarit special të SHBA për Ballkanin, zotit Palmer, duke e denigruar atë dhe personalisht e familjarisht, dhe po ashtu ka sulmuar qëndrimin e Bashkimit Europian e OSBE për Shqipërinë. Kamikazë të tij i kanë shkuar në shtëpi dhe kanë kërcënuar ambasadorin e OSBE në Tiranë. Ilir Meta ka refuzuar të presë në takim me ambasadorët e tjerë, përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe atë të Republikës italiane.

E gjithë kjo krijoi një përplasje formale të institucionit të presidentit të Shqipërisë, me Perëndimin, dhe nese SHBA dhe BE do ta kishte konsideruar Ilir Metën realisht president të Shqipërisë, ne sot do ishim të përgjakur dhe të rrethuar me tela me gjemba. Por SHBA, BE dhe OSBE, nuk e identikuan kurrë Ilir Metën me Shqipërinë. Ata u rreshtuan në krah të shqiptarëve, duke shmangur gjakderdhjen më 30 qershor. Për fatin tonë tonë të mirë, ata nuk e konsideruan si president të Shqipërisë, por udhëheqës të një bande politike që kërkon t’i vërë zjarrin asaj.

Kjo e bën “de facto” Ilir Metën presidentin e një shteti paralel, që nuk ka lidhje me shtetin shqiptar, edhe për Perëndimin. Ndaj duhet trajtuar si i tillë deri në fund, duke i rikthyer institucionit të Presidentit, legjitimitetin e veprimeve, Kushtetutën dhe mbrojtjen e interesit kombëtar edhe në raport me orientimin e shqiptarëve drejt Perëndimit. Ky nuk është presidenti ynë.




Skip to toolbar