Prindërit e Rezartës, denoncim në polici: Vajzën ma helmuan

AKTUALITET


Prindërit e Rezarta Hajdarit, që ndërroi jetë 5 ditë pas dasmës, u janë drejtuar policisë ku kanë bërë denoncim dhe ku kërkojnë zbardhjen e ngjarjes duke hedhur akuza se vajza e tyre është helmuar. Megjithëse dhëndri i tyre Olsi Hajdari deklaroi pasi doli nga koma se kishin fjetur me një mangall me qymyr në dhomë dhe më pas nuk mbante mend asgjë, duke nënkuptuar se shkak për helmimin është bërë gazi që nxjerr qymyri gjatë djegies, prindërit e Rezartës nuk e besojnë këtë version. Madje ata kanë kërkuar që familjarët e dhëndrit të mos i shkojnë për ngushëllim.

“Vajzën ma helmuan. Duam të zbardhet e vërteta. Po shkojmë të bëjmë denoncim në polici”-tha Suzana Xibrraku. Nga ana tjetër, i vëllai thotë  se  nuk pranon që familjarët e dhëndrit t’i shkojnë për ngushëllime në shtëpi, ndërsa edhe ai gishtin e fajësisë e drejton tek familjarët të Olsit Hajdarit.


“Nuk pranoj njerëzit e Olsit të më vijnë në shtëpi. Ata më helmuan motrën . Të hetohet e vërteta. Po shkojmë në polici. Fola me Olsin. E pyeta çfarë i bëtë motrës time, me tha nuk mbaj mend asgjë, ne morën mangallin dhe fjetëm”, – tha i vëllai, Reshit Xibrraku.

Pas dy ditësh në koma, Olsi Hajdari, bashkëshorti i Rezartës tha se nuk kishin bërë përpjekje për vetëvrasje dhe se kishin fjetur me një mangall me prush në dhomë.

“Ne hëngrëm darkë me familjen dhe vajtëm e u shtrimë. Morëm edhe një mangall me prush e vendosëm në dhomë dhe kaq. Asgjë tjetër nuk mbaj mend. Se si më kanë dërguar në spital, se kush më ka dërguar nuk di fare asgjë”, tregoi ai.

Rezarta Hajdari ndërroi jetë të premten, pasi u gjet pa ndjenja në dhomën e saj të gjumit së bashku me bashkëshortin Olsin, i cili mori shërbimin mjekësor dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Fillimisht nga policia dyshohej se çifti kishte pirë helm për t’i dhënë fund jetës, por pas deklaratës së Olsi Hajdarit ky version është rrëzuar.




Skip to toolbar