Gjykata e Apelit te Krimet e Rënda ka lënë në fuqi masën arrest me burg për oficerin e sigurisë në Portin e Durrësit, Ardian Bega, i cili akuzohet si një nga pritësit e drogës të ardhura nga Porit i Pireut me kontenierët me banane. Gjatë dëshmisë së tij, 53-vjeçari Bega tha se nuk e dinte që çantat ishin me drogë, por “do të shpërblehej me 200 mijë lekë për marrjen e tyre nga kontenierët dhe nuk kishte asgjë me rrezik”. Dëshmia nuk ka bindur prokurorët dhe gjykatën, që e kanë lënë atë në burg duke e akuzuar si një nga pritësit e 137 kg kokainë nga Ekuadori.
Oficeri i Sigurisë Ardian Bega ndodhet në burg së bashku me pritësin tjetër Altin Mislihaka, 35 vjeç, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i tretë, biznesmeni Gentian Malindi, 43 vjeç.
Malindi cilësohet dhe si “koka” e trafikut. Gjatë dëshmisë para hetuesve dy personat e arrestuar Ardian Bega dhe Altin Mislihakathanë se hynë në kontenierë dhe morën çanta, që sipas tyre nuk e dinin se ishinme kokainë, dhe kanë hipur në një automjet me targa franceze që drejtohej nga Malindi. Ai kur ka parë se paketimi ishte ndryshe nga çfarë ishte kërkuar, ka kuptuar se ishte kurth dhe u arratis.
Droga u zbulua nga DEA amerikane dhe policia e portit të Pireut që më pas lajmëruan atë shqiptare për të futur në kurth trafikantët.
Droga vinte nga Ekuadori drejt Portit të Pireut me destinacion final Durrësin. Policia kufitare e portit të Pireut sekuestroi drogën, mbushi çantat me oriz dhe u vendosi GPS. Anija me kontenierë u la të shkonte drejt portit të Durrësit, ku policia shqiptare i vendosi kontenierët në monitorim. Të parët që iu afruan kontenierëve ishin dy pritësit e arrestuar, oficer sigurie në port.