Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim propozimin e ish ministrit të Financave Arben Ahmetaj për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Edhe pse anëtarët e komisionit kanë votuar pro, relatori Bashkim Fino ka ngritur problemin e rivlerësimi të banesave të palegalizuara. Sipas tij ky propozim e vendos Kadastrën përballë një fakti të kryer për legalizimin e banesës. Përpos këtyre kritikave komisioni e ka konsideruar nismën e Ahmetaj, si pozitive dhe që i vjen në ndihmë edhe qytetarëve edhe buxhetit të shtetit.
“Dy probleme që unë kam është çështja e legalizimit. Kjo krijon një premisë të pritshme që Kadastra duhet ta legalizojë nesër, pra e vë përpara një fakti të kryer zoti Ahmetaj. Ky është problemi i parë, çështja tjetër janë personat juridik që ju i keni anashkaluar. Nuk e di se çfarë statistikash keni për rivlerësimin e personave juridik, por që mund të ketë që nuk e kanë bërë dhe duhen përfshirë dhe në propozimin tuaj janë anashkaluar” tha Fino.
Ky shqetësim është pranuar nga propozuesi Arben Ahmetaj, i cili ka thënë se në këtë draft mund të merret parasysh edhe propozimi i Komisionit të Ligjeve dhe të rivlerësohen vetëm banesat që zyrtarisht janë në proces legalizimi. “Ne jemi gati që ne ta përmirësojmë nenin. Rivlerësimi i bën mirë edhe qytetarit edhe vendit. Nëse doni të shtojmë këtë nen ne e shtojmë. Nuk e kisha parashikuar momentin e shpronësimit. ASHK më ka dërguar një propozim, dhe ne biem dakord që të bëhet procesi i rivlerësimit vetëm për ata që janë zyrtarisht në proces legalizimi” tha Ahmetaj.