Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë kërkojnë që 21 Janari të shpallet festë kombëtare zyrtare. Projektligji i depozituar në Kuvend është kërkuar nga 22 deputetë të opozitës, të kryesuar nga Myslim Murrizi, por motivi nuk ka të bëjë me atë 21 janarin, ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Sipas kërkesës së 22 deputetëve, projektligji synon vendosjen si festë zyrtare datën 21 janar, si dita e çeljes së punimeve të Kongresit të Lushnjës më 21 janar të vitit 1920. “Nisur nga fakti historik se Kongresi i Lushnjës është ngjarja e dytë më e madhe historike prej vitit 1912 pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912 dhe meqë jemi në prag të 100 vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, i cili shënon dhe 100 vjetorin e Parlamentarizmit Shqiptar është më se e drejtë që kjo datë të shpallet si festë kombëtare dhe si datë historike e historisë së Shqipërisë”, deklaron grupi i deputetëve në kërkesën e tij.
Po ashtu Këshilli Bashkiak i Bashkisë Lushnjë në mënyrë unanime ka votuar një vendim që ia përcjell Kuvendit të Shqipërisë, ku i kërkon që data 21 janar të shpallet festë kombëtare. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.
Projektligji është dorëzuar në Kuvend më 24 shtator dhe kërkesa është firmosur nga deputetët e rinj të opozitës, por bie në sy se kjo kërkesë nuk është firmosur nga Rudina Hajdari.