Prokuroria kërkon shenjat e gishtave të Valdrin Pjetrit

AKTUALITET


Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme do të kërkojë gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit. Në pritje të përgjigjes së letërporosisë së dërguar Interpolit dhe Europolit, ballafaqimi i shenjave të gishtave të tij, me ato të kartotekës së policisë italiane është mënyra më e shpejtë për të zbardhur të vërtetën e të shkuarës së Valdrin Pjetrit në Itali.

Prokuroria e Përgjithshme është duke përgatitur fletëthirrjen drejtuar Valdrin Pjetrit për të dhënë gjurmët e gishtave. Burime nga grupi hetimor thanë për media të ndryshme se administrimi i gjurmëve të gishtave është veprimi i radhës që do të kryhet brenda pak ditëve, me qëllim zbardhjen e ngjarjes.


Prokuroria, e cila i ka nisur hetimet në ditët e para të gushtit pas denoncimit të PD, mësohet se fillimisht u është drejtuar ministrisë së Drejtësisë, drejtorisë së burgjeve dhe gjykatave shqiptare duke i pyetur nëse Valdrin Pjetri kishte precedentë penalë.

Tashmë këto institucione i kanë kthyer përgjigje organit të akuzës duke theksuar se në Republikën e Shqipërisë Valdrin Pjetri nuk ka precedent penal. Ndërkohë prokuroria e përgjithshme i është drejtuar Europolit me kërkesën për të verifikuar bazën e të dhënave për të kryebashkiakun e Shkodrës të dalë nga votimet e 30 qershorit.

Një burim i prokurorisë, tha se referuar kallëzimit të PD, është kërkuar informacion nga Interpoli dhe Europoli nëse ndaj Valdrin Pjetrit është kryer ndalimi, arrestimi apo dëbimi në Itali në vitet 2001-2003. Kjo kërkesë për informacion është dërguar me letërporosi në adresë të palës italiane ndërsa grupi i hetimit është në pritje të përgjigjes për këtë çështje.

Derisa autoritetet italiane të sjellin letërporosinë në Tiranë, duket se prokuroria nuk do të rrijë duarkryq, duke kërkuar kështu edhe gjurmët e gishtave të Valdrin Pjetrit, me qëllim që të “gozhdojë” çështjen pasi të vijë përgjigja italiane, e cila vjen bashkë me shenjat e gishtave të personit të arrestuar, nëse rezultojnë të vërteta akuzat e PD. Marrja e shenjave të gishtave është një praktikë e zbatuar nga prokuroria edhe vitet e kaluara për deputetët e dënuar në të shkuarën në brenda dhe jashtë vendit.




Skip to toolbar