Prokuroria Speciale ngre akt-akuzë për Thaçin e Veselin, dyshohen për krime lufte

AKTUALITET


Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë. 

Në njoftimin për media, ajo që bie në sy është fakti se aktakuza me dhjetë pika nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës në datë 24 prill 2020, ndërsa njoftimi publik është bërë 2 muaj më pas, 3 ditë përpara takimit në Washington.


Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në kumtesë.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.




Skip to toolbar