Prona e shembur një natë më parë nga IMT e Tiranës pranë zonës së Selvisë ka qenë me certifikatë pronësie të rregullt. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e PD Ina Zhupa, e cila publikon dokumentin zyrtar, që sipas saj vërteton se prona e prishur pa asnjë vendim ligjor te Selvia, zotëron certifikatë pronësie që në vitin 1981.
“Terrorizëm bashkiak në mes të Tiranës! Veliaj shkatërron pronat e ligjshme pa pasur asnjë njoftim paraprak, pa asnjë projekt të shpallur dhe pa asnjë VKM për shpronësim! Dje në darke, janë sulmuar nga terroristë të veshur me uniformë, banorët e një shtëpie te Selvia me qëllimin për ta prishur atë pa një arsye ligjore dhe dokument ligjor”, deklaron zëdhënësja e PD.
Sipas PD, Edmond Shllaku zotëron certifikatë të rregullt pronësie, dhe për këtë arsye duhet të respektohet prona e tij dhe të lajmërohet me dokumente zyrtare. “Shtëpia siç e shikoni edhe në foto, është pjesë e Tiranës historike dhe nuk ka lidhje me ndërtimet pa leje. Bashkia Tiranë nuk ka kryer asnjë proces njoftimi nëse ka një plan për zhvillimin e zonës. Gjithashtu nuk ekziston asnjë projekt i shpallur që mund të konsultohet me qytetarët. Banesat janë shembur në kundërshtim me ligjin. Po ashtu nuk ekziston asnjë VKM që për interes publik të ketë vendosur shpronësimin e ligjshëm të pronarëve që zotërojnë këto banesa”, deklaroi PD, duke përfituar nga kjo situatë që bëjë dhe një herë thirrje për protestën e 2 qershorit”.