“Prostitucion dhe mashtrim”, ekstradohen dy të shumë kërkuar

AKTUALITET


Interpol Tirana ka kryer dy ekstradime këtë të martë. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, mësohet se është ekstraduar nga Gjermania shtetasi Ilir Demolli, 54-vjeç. Sipas policisë, ky shtetas është ekstraduar nga Mynihu, pasi është arrestuar më herët në shtetin gjerman. Ndaj këtij shtetasi, ishte nxjerrë një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Zyra Qendrore e Interpol Tiranës, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 7 vjet burg për veprën penale, “Mashtrim”.

Ky shtetas, në vitin 2012, i kishte marrë me anë të mashtrimit shtetases F.SH., një shumë prej 230 000 eurosh, duke ju prezantuar si drejtor i një banke private. Nga kjo shumë, ky shtetas i ka kthyer të dëmtuarës vetëm shumën 25 000 euro.

Ndërkohë, një tjetër shtetas është ekstraduar nga Roma në Tiranë. Bëhet fjalë për një 27-vjeçar me inicialet M.H. Shtetasi M. H. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.

Shtetasi M. H. ka trafikuar dhe shfrytëzuar për prostitucion, në Itali, në periudhën 2012-2013, një shtetase, e cila në atë kohë ishte minorene. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.



Skip to toolbar