Shkarkimi, PD i bën avokatin Metës (por 13 tetorin nuk ia njeh)

AKTUALITET


Pas vendimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për miratimin e planit të hetimit për shkarkimin e Ilir Metës, Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet ish-deputetit Edi Paloka. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Paloka sulmon kryeministrin Edi Rama për shkarkimin e Presidentit, duke mbrojtur Ilir Metën.

“Vazhdimi i lojës me të ashtuquajturin ‘komision hetimor për shkarkimin Presidentit të Republikës’, tregon qartazi se Rama ka vendosur të zhytet edhe më thellë në çmendurinë e tij antiligjore, antikushtetuese dhe antidemokratike. Ai që emëroi Valdrin Pjetrin dhe që vazhdon të mbrojë Kajmakun, kërcënon me shkarkim të Presidentit të Republikës vetëm sepse në zbatim të detyrave të tij kushtetues mori vendime që prishën planet e Ramës për të futur vendin në gjakderdhje”, shkruan Paloka.


Megjithatë, ndonëse i bën avokatin mbrojtës, PD nuk e ka njohur asnjëherë zyrtarisht dekretin e Ilir Metës për zgjedhjet e 13 tetorit. Gjithashtu, ndonëse PD shprehet se ‘Meta ndali planin e Ramës për gjakderdhje’, në fakt harron, që ky plan ishte i opozitës, dhe me dekretin e 10 qershorit të Ilir Metës, përshkallëzimi i konfliktit erdhi duke u rritur deri në reagimin e amerikanëve, 3 ditë para zdhjedhjeve të 30 qershorit.

Më tej, ish deputeti demokrat, shprehet se Shqipërisë, sipas Palokës, i është prerë rruga për hapjen e negociatave. Shkak për këtë, akuzon PD, është sipas saj ‘qeveria e lidhur me krimin’. “Shqipërisë tanimë i është prerë rruga për hapjen e negociatave prej një qeveria të lidhur me krimin e që shkeljen e ligjit e të Kushtetutës e ka kthyer në rutinë, por nuk mund të lejojmë që çmenduria dhe babëzia e një njeriu të na kthejë vite mbrapa. Shqipërët meritojnë Evropën, jo Edvin Ramën”, përfundon Paloka.




Skip to toolbar