Protesta e “sekretit”, gazetat australiane nxijnë faqet e para

AKTUALITET


Disa gazeta në Australi nxijnë faqet e para të tyre në formë proteste ndaj ligjeve të ashpra të sigurisë, që cënojnë lirinë e shtypit. News Corp Australia dhe nëntë media të tjera, botuan të hënën faqen e parë të nxirë ku shkruhej vetëm fjala “sekret”. Ky është një rast i rrallë i unitetit mediatik në Austrial, ku rivalët më të mëdhenj të mediave në vend, bëhen bashkë në një protestë kundër kufizimeve të shtypit.

Protesta vjen pas fuqizimit të ligjeve të sigurisë kombëtare, për të cilët gazetarët, sipas mediave ndërkombëtare, thonë se kanë bllokuar raportimin, duke krijuar një “kulturë fshehtësie” në Australi. Qeveria është shprehur se mbështet lirinë e shtypit, por “askush nuk është mbi ligjin”. Në qershor, policia sulmoi Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) dhe shtëpinë e një gazetari të News Corp Austrlia, duke krijuar një reagim të madh.

Kontrollet policore në redaksinë e mediave australiane dhe të gazetarëve, erdhën pas publikimit të disa lajmeve që implikonin forcat speciale të Australisë me krime në Afganistan. Autoritetet shtetërore u shprehën se ishte cënuar siguria kombëtare. Ndërkohë, lidhur me protestën e të hënës, Drejtori i ABC  David Anderson është shprehur se: “Australia rrezikon të bëhet demokracia më e fshehtë në botë”.

Të dielën qeveria Australiane përsëriti se ishte e mundur që tre gazetarë mund të përballen me ndjekje penale. Kryeministri Scott Morrison tha se liria e shtypit ishte e rëndësishme për demokracinë e Australisë, por shtoi se “sundimi i ligjit” duhej të përkrahej. Organizatat e mediave në Australi argumentojnë se ligjet e miratuara në dy dekadat e fundit rreth sigurisë, kanë kërcënuar gazetarinë investiguese.



Skip to toolbar