Klevis Balliu, ish-deputeti i Partisë Demokratike, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës. Ai ishte mëngjesin e të enjtes në prokurori, ku u thirr pas protestave tek Unaza e Re. Balliu së bashku me banorët e zonës së “Astirit”, u përplasën me policinë duke tentuar të pengonin IKMT të prishin ndërtimet që i hapin rrugë zbatimit të projektit të Unazës së Re. Pasi u paraqit në prokurori, Balliu mbajti një fjalë për mediat, duke u shprehur se banorët do të dëmshpërblehen, ndërsa dhunuesit do të shkojnë në burg.
“Banorët do të vazhdojnë dhe do të marrin shpërblimin cent për cent. Ata që i dhunuan do shkojnë në kokërr të burgut. Nuk prisja asgjë më shumë, as më pak, dhe as më shqetëson e bezdis, pasi ne e dinim që në momentin që vendosëm të përballemi me mazhorancën, ata do të bënin gjithçka, qoftë, arrestime, dhunë, shtyrje, gaz lotsjellës. I dinim të gjitha këto, por ajo që na shqetëson sot është se qytetarët mbetën pa shtëpi. Na shqetëson dhimbja e tyre. Gjatë gjithë kohës, qeveria ka gënjyer banorët, duke iu thënë se nuk preken, por që tani do t’i rrafshojnë banesat”, tha Balliu.
Ndërkohë, ish-deputeti i PD, u pyet nëse i druhet dënimit, duke lënë të kuptohet se e pret diçka të tillë. “Këtu gjithçka ndodh. Ata shkuan për t’i vrarë. Neve nuk po na çon ligji nëpër gjykata, por Edi Rama”, tha Balliu, ndërsa avokati i tij u shpreh se kjo është një formë presioni. “Është thjesht një formë presioni, nuk mund të marrësh të pandehur një komunitet të tërë atje për grumbullim të paligjshëm, ndërkohë që ata janë në të drejtën e tyre”.