Arta Vorpsi “injoron” Metën, betohet si anëtare e Gjykatës Kushtetuese

#NËRADAR


“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t`i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, tha të enjten me dorën mbi Kushtetutë, Arta Vorpsi. Atë që  nuk e bëri Ilir Meta, pra të thërriste anëtaren e re të Gjykatës Kushtetutese për të bërë betimin, e bëri noterja Miranda Xhemalçe.  Arta Vorpsi bëri betimin të enjten paradite, jo para Metës, por para noterit.

Në fakt, edhe Meta, që e shmangu dhe la të kuptohet se nuk do ta thërriste Arta Vorpsin për të bërë betimin ceremonial, nuk do të bënte asgjë më shumë se sa një akt noterial. Ndaj, në kushtet kur Meta i ka shpallur luftë Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore, Arta Vorpsi, që kishte pikë më shumë se çdo kandidat tjetër për kushtetutesen, bëri betimin mbi Kushtetutë, përpara noteres Miranda Xhemalçe.


Pas këtij akti, Arta Vorpsi njoftoi të gjitha institucionet kushtetuese se bëri betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ky akt i sotëm pritet të prodhojë reagime të tjera të forta, pasi sipas Kushtetutës, anëtari i Gjykatës Kushtetutese e fillon detyrën pasi bën betimin te Presidenti. Arta Vorpsi ishte renditur kandidatja me më shumë pikë në katër listat që KED i dërgoi presidentit dhe parlamentit.

Presidenti nuk e zgjodhi, duke djegur afatet. Për këtë arsye, sipas Kushtetutës, Vorpsi mori automatikisht mandatin me vendimin e KED-s botuar në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, Ilir Meta të mërkurën dekretoi Marsida Xhaferllarin, si anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese, duke bërë të tjera shkelje ndaj ligjit themelor të shtetit dhe duke nxitur tashmë një tjetër krizë për ngritjen e Gjykatës Kushtetutese. /Realstory.al/




Skip to toolbar