Pse s’ka rrezik rus apo kinez në Ballkan, nga dështimi i Europës?

#NËRADAR


Nga Mero Baze

Vetoja franceze kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, po shoqërohet me një lum paralajmërimesh për pasojat që mund të ketë kjo për Ballkanin dhe raportet me Europën, me shpresë se mund ta lëvizi Francën nga pozicioni i saj.

Por duket se nuk do të ndodhë.

As Franca nuk do bëhet një vend i dashur për shqiptarët dhe maqedonasit, dhe as këto dy vende, nuk do bëhen anti-perëndimore.

Por brenda Europës natyrisht diçka do të ndodhë. Do të ndodhë, pasi këto janë kushte të Francës kundër Europës, dhe jo kushte të Europës kundër Shqipërisë e Maqedonisë.

Efekti pozitiv për dy vendet është se ato kanë ndarë Europën në një shumicë dhe pakicë kundër tyre. Sot 25 vende të Bashkimit Europian, përfshi dhe drejtuesit e Bashkimit Europian, po luftojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, si për një betejë të tyre.

Presidenca e BE, kancelarja Merkel, grupet parlamentare të Brukselit dhe krerët e 25 shteteve anëtare, kanë bërë kalë beteje të trye, hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Përballë tyre, presidenti Macron, me ambicjen e një politikani që do të nënshtrojë Europën, për t’i imponuar projektin e tij, ka gjetur një pikë delikate, ku Europa i duket shumë e interesuar, për të promovuar idenë e tij. Nuk e ka kundër Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, më shumë se sa kundër një Europe që nuk i duket e tij.

Nga ana tjetër, efekti i kësaj maratone të Europës për të hapur negociatat me dy vendet e fundit në Ballkan që nuk iu janë hapur ende, është ekspozimi i problemeve të Ballkanit.

Kryeminstri Zaev përmendi zhvlerësimin e “Marrëveshjes së Prespës”, që është medalja e arit e Maqedonisë në rrugën drejt negociatave, përmendi rrrezikun e dështimit të bisedimeve Serbi- Kosovë, si shembull i keq shpërblimi që mori Maqedonia me Greqinë, apo dhe rënien e mundshme të qeverisë.

Edi Rama nuk ka folur për rreziqe gjeopolitike apo rajonale nga Shqipëria, se në fakt nuk ka, por një dozë e re dëshpërimi padiskutim që do t’i bëjë më keq Shqipërisë, e cila dhe ashtu është në një krizë të zgjatur politike.

Ekspozimi i këtyre rreziqeve, është një rast i mirë për Europën, për të kuptuar se çfarë mund të kthejë pas ky vendim, sidomos në Maqedoni, ku beteja politike ka qenë e pozicionuar mes forcave pro perëndimore dhe atyre pro ruse.

Dhe akoma më shumë, një shuplakë për gjithë ata që qortojnë SHBA pse merret me problemin Serbi- Kosovë më shumë se Europa. Ndërkohë që SHBA ka emëruar brenda muajit, dy të dërguar specialë për Ballkanin, Europa është ndarë 25 me 2, kundër një procesi bisedimesh, i cili në fakt duhet të ishte automatik pas marrjes së statusit vend kandidat për në BE.

Me këtë ndarje të Europës, asnjë marrëveshje në Ballkan nuk ecën dot përpara pa SHBA. Ndaj më shumë se sa një boshllëk që mund të mbushet nga Rusia apo Kina, Ballkani perëndimor është një vend që do të besojë më shumë tek SHBA dhe vendimet e saj.

Pafuqia e Europës për t’u bashkuar rreth një vendimi, për problemet e veta, do të ulë pritshmëritë e Europës në këtë rajon, por nuk do të ndryshojë orientimin perëndimor të tyre.

Në fund të fundit, vendimet e mëdha në Ballkan i ka marrë SHBA, pasi siç ka thënë Kisingeri, “kur ke punë me SHBA i bie një telefoni, ndërsa në Europë nuk di kujt t’i telefonosh”.

Dhe faktet provuan që SHBA bënë shtet Maqedoninë, ata bënë “Dejtonin”, pasi holandezët i lanë boshnjakët në Srebenicë në dorë të kasapëve duke pirë wisky, ata bënë Kosovën shtet të pavarur, përkundër përçarjes europiane në këtë pikë.

Po të ishte për Europën, Rusia e Kina do ta kishin marrë me kohë Ballkanin. Ndaj nuk duhet mbivlerësuar boshllëku që lë Europa në Ballkan. Boshllëku perëndimor nuk mund të mbushet me “mall lindor”.

Çfarë është perëndimore në Ballkan, do mbetet perëndimore, edhe pse jo doemos europiane. E ka lënë me kohë këtë boshllëk Europa, por për fat e ka mbushur SHBA.



Skip to toolbar