Kryetarja e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dha dorëheqjen të enjten, pa pritur që thirret në Vetting. “Pavarësisht pasionit tim për profesionin e gjyqtarit, duke qenë se më është ofruar një mundësi profesionale me preferencën dhe ekspertizën time në fushën e Shoqërive Tregtare, kam vendosur të ndjek një stad të ri në karrierën time, duke iu përkushtuar sektorit privat. Mundësia që më është ofruar në këtë sektor në pozicionin e Drejtores Juridike pranë Spitalit Amerikan, paraqitet si sfidë e re profesionale për mua”, shkruan ajo në dorëheqjen e saj.
Po kush është gjyqtarja Joana Qeleshi?
Ajo u emërua si drejtuese e Gjykatës së Durrësit në vitin 2013 nga Bujar Nishani, që në atë kohë ishte President i Republikës dhe drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por emërimi i saj në krye të Gjykatës së Durrësi u shoqërua me polemika, pasi ajo nuk ishte gjyqtare karriere. Joana Qeleshi kishte vetëm një vit punë në këtë gjykatë, në momentin që u emërua të drejtonte këtë institucion.
Sipas Report Tv, Joana Qeleshi u pajis më 10 shtator të vitit 2007 me prokurë të posaçme nga biznesmeni i përfolur serbo-boshnjak Damir Fazlliç, mik i Sali Berishës. Ajo do të bënte regjistrimin e një kompanie të tij në Qipro. Qeleshi ishte pjesë e studios ligjore “Kola & Associates” të avokates tjetër Flutura Kola, ish-ortake në biznes e vajzës së kryeministrit, Argita Malltezi.
Në mars 2017 Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të kryetares së Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi Joana Qeleshi, për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri.
Ky i fundit, me anë të kompanisë “Omnix” kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë Deri në fillim të vitit 2016, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit. Por më datë 25 mars të vitit të kaluar, Gjykata e Durrësit, ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë një familje nga Durrësi. Por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që drejtohej nga Presidenti Nishani, e rrëzoi këtë kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë.