Disa hektarë pyll në fshatin Shtepanjë në Cërrik janë shkrumbuar nga një zjarr masiv, që ka rënë në një sipërfaqe pyjore të premten gjatë mesditës. Flakët e zjarrit, veç rreth 10 hektrë pyje, kanë djegur dhe një sipërfaqe me rreth 2 dynym ullishte. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit nga Elbasani dhe Gramshi, të cilët kanë punuar për disa orë për të shuar flakët.
Era dhe temperaturat e larta e kanë vështirësuar punën e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve. Nuk dihet ende shkaku i rënies së flakëve të zjarrit në këtë sipërfaqe pyjore. Po gjatë ditës së premte, edhe në Roskovec një zonë e mbjellë me ullinj të përfshihet nga zjari. Sipas raportimeve mësohet se flakët kanë djegur plotësisht disa drurë ullinjsh, duke shkaktuar dëme për fermerët e zonës.
Flakët e zjarrit, veç sipërfaqen me ullinj, kanë rrezikuar të djegin dhe një biznes privat në zonën ku është lokalizuar zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar zjarrfikësit nga Patosi dhe banorë të zonës, të cilët kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve.
As për rastin në fjalë, nuk ka autor apo të dhëna mbi shkaqet e shkaktimit të zjarrit. Gjatë të premtes në të gjithë vendin janë lokalizuar disa vatra zjarri, të cilat kanë krijuar panik, ku më shqetësues ka qenë zjarri i rënë gjatë ditës së premte në Shëngjin.