Qeveria e re, Thaçi mandaton Avdullah Hotin për Kryeministër të Kosovës

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.


“Në ditët në vijim, një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e kuvendit dhe zotimi që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, theksoi Thaçi.

Ai tha se të gjithë duhet të pajtohen me procedurat ligjore e kushtetuese dhe askush “nuk mund të pretendojë që me metoda jodemokratike mund ta marrë, ta mbajë apo uzurpojë pushtetin”.

Me gjithë vërejtjet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se mandatimi i një kandidati nga një parti që nuk i takon partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje përbën shkelje kushtetuese, Thaçi tha se ai ka marrë një vendim në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në dy-tri raste ka deklaruar se sapo ta ketë në dorë shkresën zyrtare apo dekretin e presidentit, ai me ekipin e tij ligjor, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se presidenti po e shkel Kushtetutën duke ia ofruar mandatin LDK-së për formimin e qeverisë dhe anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Më 22 prill, presidenti Hashim Thaçi kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.

Ndryshe, përderisa përplasjet rreth procedurave kushteuese vazhdojnë, gjatë ditës, Lidhja Demokratik e Kosovës ka finalizuar edhe disa marrëveshje me disa parti më të vogla, në përpjekje përmbylljes së procesit të formimit të qeverisë së re brenda pak ditësh në kuvend.

Pas marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe, LDK i përmbylli me marrëveshje edhe negociatat për koalicion me Nismën Socialdemokrate.

Bazuar në këtë marrëveshje, Nisma Socialdemokrate do të ketë një post të zëvendëskryeministrit si dhe dy poste ministrore. Marrëveshjen e ka konfirmuar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili tha se me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri me funksione të plota. (REL)




Skip to toolbar