Shqipëria ka kthyer vëmendjen nga shqiptarët që jetojnë në trevat jashtë territorit tonë. Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të mbështetur financiarisht Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, me seli qendrore në Ulqin dhe dy zyrat e tij koordinuese në Malësi/Tuz dhe Plavë. “Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve luan një rol substancial në përfaqësimin e përgjithshëm dhe fuqizimin e rolit të veçantë të shqiptarëve në Mal të Zi. Ai adreson një gamë të gjerë çështjesh duke filluar nga arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, sfidat socio-ekonomike e deri tek ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Mal të Zi. Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbështetje financare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi nuk është një veprim i izoluar dhe individual. Ky veprim shënon vetëm fillimin e programit të Qeverisë për të marrë përsipër financimin periodik dhe mbështetjen sistematike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi”, shkruante Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, pas këtij vendimi, ka ardhur dhe një reagim, ku shprehet falënderimi ndaj Qeverisë së Shqipërisë, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve të Malit të Zi. “Këtë e konsiderojmë si vendim historik i cili duhet përshëndetur, pasi është rasti i parë që Qeveria e Republikës Shqiperisë jep mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Pa dyshim, ky është një vendim i mirëpritur nga ne dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit intensiv ndërmjet Keshillit Kombëtar, Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Podgoricë dhe Qeverisë Shqiptare”, shkruhet në deklaratën e Këshillit Shqiptar në Mal të Zi.
Më tej, në deklaratë jepen dhe sqarime se për çfarë do të përdoren këto para, që do të jepen nga Qeveria shqiptare. “Këto mjete do të dedikohen për fuqizimin e aktiviteteve të Këshillit Kombëtar, vënien në funksion të zyrave koordinuese në Malësi dhe Plavë, me qellim të jemi sa më pranë qytetarëveshqiptarë në Mal të Zi, një mundësi më shumë, për të raportuar për shqetësimet e tyre në rastet e shkeljeve të të drejtave kombëtare, për nisma dhe iniciativa kërkimore për situatën aktuale të respektimit të të drejtave, në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi, për çështje të tilla si: arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e drejta e përfaqësimit dhe punësimit proporcional të shqiptarëve në institucionet publike, e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, përdorimi i lirë i simboleve tona kombëtare, media dhe informimi në gjuhën shqipe, situata socio-ekonomike e shqiptarëve dhe investimet në infrastukturë etj”, citohet nga deklarata.
Më herët, Qeveria Shqiptare ka marrë dhe dy vendime të tjera të rëndësishme për shqiptarët në Mal të Zi; – Vendimi për heqjen e nevojës për t’u pajisur me leje pune për shqiptarët nga Mali i Zi që punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe Vendimi për hapjen e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në qytetin e Ulqinit.