Shqipëria është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas aksionit për vrasjen e liderit të Forcave Elitare QUDS të Iranit, Kasem Solejmanit. Kryeministri Edi Rama reagoi në mbrëmje duke u shprehur se “si një vend që njohu pak kohë më parë veprimtarinë e padrejtë të Iranit kundër botës së lirë dhe mori distancë të qartë nga ajo, Shqipëria aprovon me forcë qëndrimin e Donald Trump ndaj një aktivisti keqdashës të regjimit të Teheranit! Ne jemi të vendosur me SH.B.A. dhe shpresojmë se të gjithë ta bëjnë këtë”, shkruan kryeministri Rama në Twitter.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Partia Demokratike, e cila u shpreh se “mbështet angazhimin e SHBA në luftë kundër terrorit. Vendimi i presidentit Trump për goditjen e njërit prej arkitektëve dhe drejtuesve të aktiviteteve terroriste është nje akt i fortë lidershipi dhe mbrojtje e vlerave demokratike e të paqes”, shkruan Partia Demokratike.
Po çfarë e lidh Kasem Solejmanin me Shqipërin? Gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, Policia e Shtetit doli në një deklaratë për mediat ku njoftoi se kishte parandaluar një akt terrorist. Disa shtetas iranianë do të kryenin sulme terroriste në vendin tonë ndaj përfaqësuesve të opozitës iraniane “MEK”, që strehohet prej vitesh në Shqipëri. Sipas Policisë së Shtetit personat që do të kryenin këto sulme ishin pikërisht anëtar të QUDS, Forcës së Gardës Revolucionare të Iranit, të drejtuar nga Kasem Solejmani.