Vrasja e komandantit të QUDS ngjalli shumë reagime. Pamje nga sulmi ushtarak

AKTUALITET


Të premten u vra Komandanti i Forcave elitë QUDS të Gardës Revolucionare të Iranit, Kasem Solejmani. Ai u vra në aeroportin e Bagdatit në Irak gjatë një sulmi ajëror. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamje nga vrasja e Solejmanit. Në pamje shihet kur autokolona e tij goditet nga predhat, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërkohë, Presidenti i SHBA, Donald Trump reagoi për vrasjen e Sulejmanit. Ai u shpreh se Kasem Solejmani “ka vrarë ose plagosur rëndë mijëra amerikanë gjatë një periudhe të gjatë kohe, dhe po komplotonte të vriste shumë më tepër…por u kap”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Shumë vende të tjera kanë reaguar për vrasjen e Kasem Solejmanit. Gjermani e cilësoi këtë akt si përgjigje ndaj provokimeve të vazhdueshme të republikës islamike. “Veprimi amerikan ishte reagim ndaj një serie provokimesh ushtarake për të cilat Irani është përgjegjës. Të tilla ishin sulmet ndaj anijeve cisternë në ngushticën e Hormuzit dhe në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite. Kemi dënuar sulmet ndaj trupave të koalicionit në Irak sikur edhe sulmet e fundit në ambasadën amerikane”, tha Ulrike Demmer, zëdhënëse e qeverisë gjermane.


Ndërsa Rusia e dënoi vrasjen, duke e cilësuar “një hap të papërgjegjshëm”. “Ky hap nga Uashingtoni mund të ketë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në pikëpamjen tonë, veprime si këto nuk ndihmojnë në arritjen e një zgjidhjeje për një problem të ndërlikuar që është akumuluar në Lindje të Mesme. Përkundrazi veprime si këto çojnë në rritje të tensioneve në rajon”, është shkruar sot në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme ruse, raporton VOA.

Për ngjarjen reagoi dhe Franca që kërkoi “vetëpërmbajtje”, ndërsa në Iran shprehen se do të hakmerren. Kështu tha profesori i Universitetit të Teheranit, Mohamed Marandi, që i quajti Shtetet e Bashkuara “një regjim mashtrues” ndërsa tha kritikoi shtypin perëndimor që operacione të tilla i quan “ushtarake”.




Skip to toolbar