Ra nga kati i gjashtë, Aldo Teqja gati të lërë spitalin

AKTUALITET


Gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është duke u përmirësuar. Klubi i Partizanit deklaroi të enjten se futbollisti po shkon drejt përmirësimit të plotë, ndërsa pritet të lërë spitalin. “Klubi njofton se gjendja shëndetësore e portierit Aldo Teqja është drejt përmirësimit të plotë. Shumë shpejt pjestari i skuadrës pritet të lërë ambientet e spitalit të Traumës. Klubi dhe tifozët vazhdojnë ti qëndrojnë pranë Aldos përgjatë gjithë periudhës së qëndrimit të tij në ambientet e spitalit”, shkruan klubi në një njoftim.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte portieri Aldo Teqja është vizituar nga drejtuesit e skuadrës në ambientet e spitalit. Trajneri Franko Lerda, Drejtori Sportiv Olsi Rama si dhe drejtues të tjerë ishin pranë futbollistit, me të cilin bën dhe një foto. Aldo Teqja u rrëzua disa ditë më parë nga kati i gjashtë i apartamentit ku banonte.

Fillimisht, në informacionin zyrtar, u tha se futbollisti ishte vetëhedhur pas gjendjes së rënduar psikologjike, ndërsa më pas ky version u përgënjeshtrua. Familjarët e futbollistit deklaruan se djali i tyre ra nga ballkoni i pallatit, pasi ishte duke rregulluar tendën. Pavarësisht versioneve, lajmi i mirë ishte që 24-vjeçari shpëtoi mrekullisht nga rënia prej lartësisë, vetëm me disa dëmtime, por që nuk i rrezikuan jetën.



Skip to toolbar