Takimi me zyrtarin e DASH, Ralf Gjoni: Shqipëria i kalon sfidat vetëm me SHBA

POLITIKË


Zyrtari amerikan i DASH, David Kostelancik ka zhvilluar një drekë pune me opozitën parlamentare, konkretisht me deputetët Ralf Gjoni dhe Rudina Hajdari. Gjoni e cilësoi këtë takim mjaft konstruktiv dhe mbështetës nga SHBA për nevojat aktuale që ka vendi, i cili edhe pse një aleat i largët në vijë gjeografike, është tepër i afërt për nevojat e popullit shqiptar. Reforma në Drejtësi dhe ajo Zgjedhore, ishin në fokus të diskutimit të tyre, që janë edhe pikat kryesore të planit të punë së opozitës parlamentare. Deputeti i opozitës Ralf Gjoni theksoi se pa ndihmën dhe mbështetjen e aleatëve amerikanë, Shqipëria do e këtë të pamundur realizimin e sfidave të saj, ndërsa nuk hezitoi të akuzonte politikanët shqiptarë, që nuk arrijnë dot të kuptohen dhe bien dakord për çështjet madhore të Shqipërisë.

‘Me SHBA na ndan një oqean e gjithsesi partnerët amerikanë janë më pranë nevojave të popullit shqiptar. Me politikanet e tjerë në këtë vend na ndan një rrugë, një mur, e ndonjëherë thjesht një kapriço, e prapë nuk ia dalim dot të kuptohemi. I kënaqur që sot bashkërisht me kolegen Rudina Hajdari patëm një drekë pune tepër informative & produktive me Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, z. David Kostelancik i cili shoqërohej prej US Chargé d’Affaires znj. Leyla Moses-Ones. Sot ndjehem më i bindur se kurrë që fokusi ynë duhet të jetë finalizimi i reformës në drejtësi dhe fillimi i një reforme substanciale zgjedhore, ku ndryshimi i sistemit të jetë primar. Nuk ka më kohë për alibi, mashtrime apo arnime sipërfaqësore estetike. Duhet bashkim i të gjithë faktorëve e energjive pozitive në këtë vend. Asnjë prej këtyre sfidave nuk do i adresojmë dot pa mbështetjen e vyer të miqve tanë amerikanë. Ndaj, mirënjohje SHBA! “ – shkruan Gjoni.

Takimi i zhvilluar me opozitën parlamentare, konfirmon qëndrimin e SHBA duke njohur legjitimitetin e tyre dhe të Kuvendit, gjë që është kundërshtuar me forcë nga opozita dhe presidenti Meta, ky i fundit i mënjanuar nga takimet që zyrtari i DASH zhvilloi në Tiranë.



Skip to toolbar