Rama apo Kurti, kush po punon si patriot?

Më të fundit


Në prill të këtij viti Albin Kurti shtegtonte nëpër qytetet e Shqipërisë duke u treguar qytetarëve shqiptarë se qeverisja e Edi Ramës është e dobët, e korruptuar dhe nuk punon për ta. Ai kishte vendosur t’i shpëtonte dhe me Lëvizjen Vetëvendosje po futej në garë zgjedhore për t’i bekuar me alternativën e tij. Fiks tetë muaj më vonë, në kohën kur secili shtet në Evropë lëngon për më shumë energji elektrike, Edi Rama kërkoi nga ministrja që t’ia bëjnë disi e t’ia dërgojnë Kosovës megavatët e nevojshëm që të mos lihet në terr në këto kohë festash.

Maliciozët me siguri se do të ndalen te motivet e veprimit, por qytetarëve të Kosovës iu interesojnë faktet. Fakte që marrin formën e numrave dhe njësive të energjisë, që nënkupton jo më mungesë të rrymës, por mungesë të reduktimeve, të cilat prej ditësh vazhdojnë në Kosovë.

Në një cicërim në Twitter, Rama shkroi se “kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për Qeverinë e Kosovës”.

Shkrimi i shkurtër i Ramës në rrjetin social u përcoll nga një deklarim i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, e cila zbërthej në shifra konkrete ndihmën e ofruar.

Ajo tregoi se autoritetet shqiptare kanë siguruar afro 7 mijë e 680 MWh energji për datat 31 dhjetor dhe 1 janar, të cilat do të depozitohen në Kosovë. E gjitha do të bëhet pa asnjë efekt financiar.

Pse Shqipëria mundet dhe pse Kosova ka nevojë për ndihmë?

Kriza aktuale e energjisë elektrike filloi me mungesën e gazit natyral që përdoret gjerësisht në vendet e Evropës për ngrohje dhe energji elektrike. Shtetet e Bashkimit Evropian marrin gazin natyral direkt nga Rusia përmes tubave të “Nord Stream”, por kur Rusia zvogëloi sasitë, shkaktoi fryrjen e çmimeve dhe rriti frikën për krizën.

Shtetet e mëdha në BE-së si Gjermania, Franca e të tjera, qysh nga katastrofa e vitit 2011 me shpërthimin e impiantit bërthamor në Fukushima të Japonisë, patën filluar një kalim te energjia e ripërtritshme, por suksesi, akoma, është minimal.

Në vitin 2020 diçka më pak se 20 për qind e energjisë elektrike vinte nga format alternative siç janë pllakat solare dhe prodhimi i energjisë nga era. Pllakat solare s’prodhojnë dot energji gjatë natës, derisa ato me erë janë të kushtëzuar krejtësisht nga kushtet atmosferike.

Pra, për krizën u alarmua para disa muajsh.

Edi Rama, me 3 tetor, kishte mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme ku u tregonte qytetarëve si qëndrojnë punët.

Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje”, pati deklaruar Rama duke treguar se ekipet po punojnë në hartimin e një plani se si të operohet tutje.

Meqë dihej se çmimet do rriteshin drastikisht, madje veç kishin filluar, Shqipëria do të provonte të blinte energji elektrike sa më parë.

Pas pak ditësh, me 9 tetor, Shqipëria do të dilte me plan të detajuar trepikësh për ta përballuar krizën duke mbrojtur në veçanti familjen dhe biznesin e vogël.

Aktualisht në Shqipëri nuk ka fare reduktime, përkundër krizës.

Rreth 80 për qind të nevojave të vendit për energji përballohen nga prodhimi nëpërmjet metodës hidrike, pra hidrocentralet kanë punuar pa ndërprerje për garantimin e rrymës, kurse një pjesë e energjisë është blerë që më parë në tregun ndërkombëtar, për të siguruar mbulimin e nevojave të konsumatorëve.

Bizneset e mëdha, kanë mundësinë e daljes në tregun privat, kështu duke blerë rrymë nga kontraktorë privatë. Derisa, shkëputjet e energjisë në Shqipëri kur kanë ndodhur, kanë qenë të lidhura thelbësisht me defekte teknike në rrjet.

Një botë paralele

Konferenca e përbashkët për shtyp në Pallatin e Brigadave, e Kryeministrit Edi Rama me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

Në kohën kur Edi Rama në Shqipëri, me datën 3 tetor, doli në konferencë për media për të alarmuar për krizën dhe njoftuar për strategjinë, Albin Kurti në Prishtinë kishte preokupime të tjera.

Ai, po me këtë datë, me 3 tetor, në llogarinë e tij në Facebook, ku e bën pjesën më të madhe të (mos)komunikimit, shkruante për “31 vjetorin e bashkimit të Gjermanisë”.

Në një status të gjatë e të detajshëm, Kurti qëndiste se “bashkimi i Gjermanisë u realizua përmes përgjegjshmërisë së lartë politike të të gjithë pjesëmarrësve, si dhe vetëdijes e respektit për suksesin ekonomik dhe social të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore”.

Por, edhe pas një muaji, me 3 nëntor, nuk flitej as për potencialitetin e përkeqësimit të situatës e as për strategjinë eventuale. Me 3 nëntor, Kurti kishte lënë Gjermaninë, për t’ia kushtuar një status Amerikës.

Ai po shënonte një vjetorin e fitores së Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara. Theksonte, atë që dihej, se “amerikanët votuan për ndryshim”. Ndërsa në disa paragrafë më poshtë bënte një lidhje mes fitores së Joe Biden dhe fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.

Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes Vetëvendosje më 14 shkurt 2021”, aludonte Kurti.

Në ndërkohë, derisa Shqipëria vazhdonte me implementimin e strategjisë për emergjencën financiare, në Kosovë narkolepsia e qeverisë ishte e pandërprerë.

Kaloi edhe një muaj, por Kurti akoma nuk kishte vendosur të merrej me krizën energjetike. Me 3 dhjetor, statusi i tij nuk kishte të bënte më me Gjermaninë as me SHBA-të. Këtë ia kishte kushtuar vetës.

Në këtë ditë, dy dekada më parë, u lirova nga burgu i Nishit në Serbi”, kujtonte Kurti, derisa përmes disa fotografive tregonte se është në një udhëtim zyrtar.

Mbase do vazhdonte të mos merrej me energjinë elektrike, nëse energjia elektrike nuk do të merrej me të. Në Kosovë, ndryshe nga e gjithë Evropa, filluan reduktimet e shpeshta dhe të gjata. Qytete e fshatra mbetën pa rrymë me orë të tëra, derisa reduktimet veçse janë normalizuar.

Ai nuk ka pranuar as që të kritikohet dhe ka deklaruar se ata që e bëjnë le ta shikojnë vetën në pasqyrë, derisa kur është pyetur se përse Qeveria nuk bleu rrymë më herët, por tash po e paguan një çmim shumëfish më të shtrenjtë, ka dhënë një argumentim banal, duke llokoçitur se “energjia elektrike nuk ruhet në frigoriferë”.

Kurti e di fare mirë se blerja e energjisë më herët do të nënkuptonte pagesë të atij çmimi, të asaj kohe, dhe pastaj shfrytëzim në kohën e nevojshme dhe jo konservim të energjisë elektrike, por ai e ka kuptuar po ashtu fare mirë se edhe mund të thotë diçka të tillë e të mos penalizohet.

Tani, i gjendur në një situatë kur të blesh rrymë është shtrenjtë e të prodhosh vetë është bërë e vështirë, meqë termocentralet po kanë prishje vazhdimisht, ka prezantuar një ide të keq dhe një ide edhe më të keqe.

Ose reduktime, ose shtrenjtim të tarifave”, ka thënë Kurti, derisa i ka ndarë 20 milionë për KEK-un, që energjinë elektrike që nuk e prodhon dot për ta përmbushur obligimin ndaj KEDS-it, ta blejë e t’ia japë kompanisë që distribuon.

Kështu, shqiptarët e Kosovës, në një situatë të paprecedentë, paguajnë tarifat e rrymës shumëfishë.

Qytetarët paguajnë tarifën e rregullt që ju vjen nga KEDS-i, paguajnë faturat për rrymën në veri që nuk e paguajnë serbët, paguajnë humbjet në rrjet të cilat prapë i faturon KEDS-i dhe si përfundim paguajnë atë 20 milionësh përmes tatimeve që Qeveria ia dha KEK-ut.

Shqipëria energji elektrike, Kosova as faleminderit

Ndihmës së Shqipërisë me energji elektrike, Kosova i është përgjigjur me heshtje. Përkundër se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ministrja pastaj, Belinda Balluku, treguan për ndihmën që po i japin Kosovës, asnjë koment nuk ka ardhur nga pala tjetër.

Kurti, që poston për bashkimin e Gjermanisë e ndryshimin politik në SHBA, nuk ka postuar një faleminderit. As ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, s’ka bëzan.

Albanian Post ka provuar të marrë një koment nga ministrja dhe nga Qeveria e Kosovës, por s’ka pasur përgjigje. Njëjtë siç për krizën s’pati një plan dhe për Qeverinë e Shqipërisë një falënderim.

Në mbledhjen e fundit të dy qeverive shqiptare, Albin Kurti, kishte thënë se meqë është i vënë nën llupë sa herë flet për Shqipërinë, atij me kujdes po i duhet t’i zgjedhë fjalët. Ndaj kishte sugjeruar që kur të flasin – ai e Rama – të flasin si diplomatë, porse patjetër që duhet “të punojmë si patriotë”.

Për të folur, mund të flas si të dojë, por për të punuar, të paktën në këtë kohë krize, do të ishte mirë të punonte si kryeministër. /Albanianpost.com



Skip to toolbar