Rama drejt New Yorkut për Trump: Tërmetet “fake” në media, synojnë kaos

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama i është rikthyer jetës normale pas lëkundjeve të tërmetit dhe të njëjtën thirrje bën për të gjithë duke  kujtuar se tërmetet janë të paparashikueshme dhe frika ndaj tyre s’mund ta mbajë vendin pezull. Por të gjithë duhet t’i kthehen përditshmërisë. Ndaj dhe kryeministri është nisur drejt New Yorkut ku do të takohet me presidentin Trump dhe ku do të flasë në samitin e OKB-së për Shqipërinë. Dy ditë me herët sapo u njoftua për tërmetin e datës 21 shtator, kryeministri ndodhej në Frankfurt, rrugës për në New York por e ndërpreu menjëherë udhëtimin e tij dhe u kthye në Shqipëri ku drejtoi institucionet qeverisëse për të përballuar emergjencat që lindën nga tërmeti. Por siç thotë dhe Rama, qëndrimi i tij nuk i ndalon lëkundjet e tërmetit, ndaj dhe puna duhet të nisë si  normalisht.

“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Duke e ndërprerë udhëtimin dy ditë më parë dhe duke u kthyer me urgjencë në Tiranë, unë as do të parandaloja ndonjë tërmet e as do të bëja ndonjë çudi që pa mua nuk bëhej dot. Por plotësova boshllëkun e një mungese, e cila në planin njerëzor do të ishte e pajustifikueshme në raportin e zemrës me njerëzit që më kanë besuar detyrën e lartë. Tanimë është momenti, që secili të jetë aty ku është më i vlefshëm gjatë ditës së saponisur dhe teknologjia, vërtetë s’na ka dhënë ende asnjë shans të parashikojmë tërmetet, por na ka dhënë mundësinë fantastike që edhe mijëra kilometra lart në ajër apo matanë oqeanit, të jemi vetëm një klik larg zyrave ku drejtohen punët e vendit.

Kështu që nga zyra ime online në mrrokllën e zezë, për momentin në aeroportin e Stambollit, ku sapo po nisem për Nju Jork pasi erdha mbrëmë vonë me Air Albania-n, po ju le këtu këtë shënim përpara “Mirëmëngjesit” tradicional të orës 08.00”, shkruan Rama.

Ai dënon ashpër të gjitha lajmet e rreme që u shpërndanë gjatë mbrëmjes së të dielës nëpër rrjete sociale dhe më pas në portale, duke i cilësuar çnjerëzore përpjekjet për të përhapur panik te banorët e Tiranës, shumica e të cilëve ranë pre e gënjeshtrave dhe dolën në shesh, apo në rrugë. Rama shkruan se autorët do të mbajnë përgjegjësi penale.

“Jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakeneës kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej jush! Po njëkohësisht, jam thellësisht i keqardhur, që shumë prej jush, ranë pre e asaj ligësie të pashoqe, të prodhuar e shpërndarë me shpejtësi, nga marrëzia e kujt verbërisht kërkon sherr, rrëmujë, kaos mundësisht, për arsyet e panjerëzishme të Mosarsyes.

Tërmeti që ra mbi Shqipërinë, tronditi qindramijëra familje, por fatlumësisht nuk mori asnjë jetë dhe dëmet e tij, që krahasuar me të tjera vende përreth, për të njëjtën shkallë Rihter e të njëjtat ballë në epiqendrën fare pranë Durrësit, mund të kishin qenë katastrofike, ishin të thuash pak, minimale. Lekundjet e mëpastajme, me të cilat u arrit deri në spekullimin çnjerëzor të mbrëmjes së djeshme, ishin sipas të gjithë ekspertëve, krejt brenda normës së procesit të stabilizimit të pllakave tektonike.

E përsëris, dëmet janë minimale dhe pa lidhje me panikun maksimal që krijoi goditja dhe ushqeu më pas, papërgjegjshmëria haluçinante e një sërë burimesh (diz)informacioni.

Gjithçka ka kaluar si s’ka më mirë, në krahasim me ç’mund të kishte qenë dhe jeta vazhdon po njësoj; askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra, sepse siç nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet, dija njerëzore s’ka mundur ende të parashikojë kohëzgjatjen e jetës sonë. Por ne çohemi çdo mëngjes e vazhdojmë rrugën e jetës, pa menduar se atë ditë mund të na ndalë zemra dhe biem të flemë çdo natë, pa menduar se mund të mos e shohim ditën tjetër. E pra, po aq absurde sa mund të duket të jetosh nga mëngjesi në mbrëmje me idenë e fundit të jetës, është edhe frika se nga momenti në moment, mund të bjerë tërmet.

Padiskutim, s’ka asgjë jonjerëzore në absurdin e frikës që pason përvojën traumatike të një goditjeje sizmike, prandaj edhe pjesa më e rëndësishme e rekuperimit të dëmeve, nis pikërisht nga solidariteti njerëzor me ata që janë prekur më shumë jo thjesht materialisht, po në radhë të parë psikologjikisht; pikërisht ky aspekt e ka bërë njerëzimin që ta kthejë globalisht në ndëshkim penal, kafshërinë e përhapjes së panikut në popull”, shkruan Kryeministri.

Gjatë mbrëmjes së të dielës policia ka shoqëruar dy gazetarë për përhapjen e lajmeve fake se në Tiranë dhe në Durrës do të binte sërish tërmet në orën 23.30. Kështu policia gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”./Reasltory.al



Skip to toolbar