100 tërmete brenda 3 ditësh në Korçë. Sigurohet ushqim dhe fjetje për banorët

AKTUALITET


Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile njofton se janë regjistruar gjithsej 100 lëkundje sizmike në qarkun e Korçës brenda 3 ditëve të fundit.

Nga verifikimi i bërë nga Emergjencat Civile, në 3 fshatrat e prekur më shumë nga tërmetet, rezultojnë 184 banesa të dëmtuara, prej të cilave 95 të dëmtuara rëndë, pjesa më e madhe e tyre banesa të pabanueshme prej vitesh.


Ndërkohë që një sërë masash janë marrë për t’u ardhur në ndihmë banorëve që janë prekur nga tërmeti.

Kështu në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet deri në 20 vende.

Në fshatin Vidohovë janë ngritur 4 çadra, sipas nevojave të banorëve. Janë sistemuar 40 persona dhe nga këta 20 persona në kishën e fshatit dhe 20 në të afërmit e tyre.

Në fshatin Qafëzez janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura nga 10 që janë dërguar. Në këto dy fshatra, disa prej banorëve kanë kërkuar që të strehohen pranë të afërmve të tyre.

Janë dërguar 240 pako ushqimore, 100 thasë me miell, 100 detergjente. Nga këto 100 pako janë dërguar nga organizata joqeveritare, 100 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit për të tre fshatrat dhe 40 pako nga Kryqi i Kuq për tre fshatra.

Për furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Floq është vënë në dispozicion 1 bot i Detashmentit të Mbështetjes Rajonale, si dhe bidonë me ujë të pijshëm nga TAP. Nga TAP është siguruar ushqim ditor për 160 banorë të fshatit Floq.

Shërbimi shëndetësor ka qenë dhe është prezent pranë familjeve të evakuuar dhe ka kryer ndërhyrje për çdo rast problematik kur është paraqitur. Në fshatin Floq është ngritur 1 qendër shëndetësore.

Janë angazhuar në total 15 mjete nga të cilat Prefektura 2, Detashmenti i Mbështetjes Rajonale 3, Policia 2, Spitali Korçë 1, Bashkitë 6, Kryqi i Kuq 1, si dhe grupi vullnetar i Bashkisë Tiranë 1.

Nga strukturat e FA të Ministrisë së Mbrojtjes në këto 2 ditë janë angazhuar gjithsej në ndihmë të banorëve të zonës 47 forca, 4 mjete dhe 2 zjarrfikëse.




Skip to toolbar