Vija e kuqe për Spiropalin. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të qeverisë me grupin parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përjashtimin e deputetes socialiste, e cila vetëm pas shkarkimit si Ministre e Jashtme, filloi të shprehte pakënaqësi për qeverisjen.
Madje këtë të hënë, situata prej nisjes ishte dhe më dramatike. Të gjithë shkuan me makina, vetëm Spiropali me taksi. Por drama kësaj radhe ishte me një akt. Regjisori i shfaqjes vendosi ta ulë perden e saj shpejt.
“Te puna e partisë nuk mund të bëni drama. Dhe për këtë po të drejtohem ty Elisa. Herën e parë nuk erdhe në votim, herën e dytë bëre çarçafin. Herën e tretë s’ka, je jashtë këtij grupi,” mësohet të jetë shprehur Rama.
Spiropali kërkoi replikë, por Rama këtë herë nuk pranoi asnjë fjalë, duke i bëri të qartë se është ajo që i ka borxh PS.
“Ti s’mund të replikosh këtu, ti nuk merr fjale më, me ty është investuar PS dhe unë” ka vijuar kryesocialisti.
Pas kësaj Spiropali ka heshtur, dhe është larguar sërish e vetmuar dhe me taksi. Rebelimi i saj, i dukshëm lidhur më shumë jo me Skënderbeun e saj politik, por me Belinda Ballukun. Por Balluku brenda një dite ka shkaktuar, pa dashjen e saj, dy tërmete. Tjetri në degën e PD në Fier, gati një vit pas disfatës në zgjedhjet politike.
Me një vendim të papritur nga selia blu, Kryesia e PD shkriu gjithë degën e Fierit, për të ngritur një grup pune tranzitor me 43 anëtarë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Por ndryshe nga Spiropali, Gazmend Bardhit humbjet i forcojnë pozitat. Kryetari i PD në Fier dha dorëheqjen, duke ngritur qartë gishtin e akuzës.
“Aq më tepër kur në krye të degës po vendosen njerëz që kanë qenë kundër rithemelimit dhe kundër Sali Berishës, që na shqyen derën e PD-së, na morën zyrat, na shanin çdo ditë duke na thënë se jeni të gjithë “non grata”, ndërkohë që ne i bënim mbledhjet nëpër lokale, ndërsa ata rrinin në zyrat tona”, shkruan ai.
Dhe në garën për kreun e PD në Fier kanë mbetur 3 kandidatë. Altin Maloku, Enkelejda Veliu dhe Gentian Koçi.
Ky i fundit ishte kandidati më afër Bardhit, doli dhe më i votuari në listën e hapur të PD, dhe mandati iu dogj prej rezultatit të dobët të Bardhit dhe PD në qark.
Por për marrëdhëniet e Gazit me Gentin, duhet degjuar Zegjineja.
“Kanë kaluar kaq muaj nga zgjedhjet, pse nuk ke ardhur në Fier, te ata pak demokratë që votuan Gentin në fakt, jo ty, se Genti duhet të ishte në këtu në vendin tënd, e jo ti ylli i Fierit, po ti duhet të ma dish mua për faleminderit që doktori stë hoqi për të ma bërë mua qejfin”, – u shpreh ajo.
Per qejf të Zegjinesë apo të doktorit, Fieri edhe kësaj radhe do mbetet në dorë të Gazmend Bardhit. Dhe ndryshe nga ‘Mamica’, këtë të fundit nuk ka Skënderbe që ta hedhë nga kali.
