Kryeministri Edi Rama ka përcjell një tjetër mesazh ndaj të gjithë qytetarëve, artistëve , majde edhe vetë opozitës, që kanë dalë në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Përmes një video mesazhi me një nga figurat më të ditura dhe më të vlerësuara shqiptare, përkthyesit, diplomatit dhe një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës Jusuf Vrionit, Rama ka treguar se pse Teatri Kombëtar duhet shembur dhe çfarë “vlerash arkitekturore ” përfaqëson ajo.
“Ja se sa thjeshtë e çmonton tërë marrëzinë monumentale mbi “vlerat arkitekturore” të ngrehinës së Teatrit Kombëtar, njëri ndër shqiptarët më të sojmë dhe më të ditur; shqiptari erudit që shkëlqeu salloneve mondane të Francës e të Italisë së paraluftës dhe u dergj burgjeve komuniste të pasluftës; ai që siç thoshte Gianni Agnelli “e flet italishten më mirë se unë” dhe që e bëri Kadarenë të lexohet në një frëngjishte mahnitëse për vetë francezët, i paharruari Jusuf Vrioni” – shkruan Rama në facebook.
Përkthyesi rebel ndaj regjimit komunist, ku nuk munguan edhe vitet e burgut, njëkohësisht edhe diplomat i njohur Jusuf Vrioni ka shprehur në një intervistë shume vite më parë nevojën për shembjen e godinës së teatrit, pasi nga ana e konstruksionit dhe materialeve me të cilat ajo është ndërtuar, duhet të qëndronte në këmbë për një periudhë të përkohshme vetëm 25 vite, më pas duhej shembur.