Elia Zaharia: Do bindeni se duhet një teatër i ri po ta shihni nga brenda

Të mërkurën një tjetër emër i është shtuar listës së artistëve që duan një teatër të ri e modern.  Kryeministri Rama ka publikuar qëndrimin e aktores Elia Zaharia, vajzës së aktores së madhe Yllka Mujo dhe bashkëshortes së Princit Leka Zogu të Dytë.

Elia Zaharia shprehet se të gjithë artistët kërkojnë një tetar të ri e modern, pasi ai aktuali nuk përmbush asnjë lloj kushti. Zaharia u jep një mesazh të gjithëve që kanë ndërhyrë në mes të artistëve duke i përçarë duke u thënë se “ne të gjithë jemi teatri” dhe ndërtimi i një të riu është e domosdoshme. Kushdo që nuk e ka parë teatrin nga brenda thotë Elia Zaharia të shkoj t’i hedh një sy dhe do të bindet se pse atje duhet një i ri dhe modern me kushte evropiane.

ELIA ZAHARIA: Nuk mendoj se është mëkat të kërkosh parametra dhe kapacitete europiane për një teatër dinjitoz kombëtar. Nëse do qe e mundur të ndërtohet ky teatër i ri modern, dhe krahas tij të restaurohet apo rikonstruktohet ai ekzistues, kjo do të ishte një zgjidhje ideale dhe ne të gjithë do të ishim shumë të lumtur! Por sa reale është në kushtet e sotme kjo dëshirë e jona? A i përmbush godina e sotme këto parametra? Këtë përgjigje ata që e njohin sadopak teatrin në brendi e dinë. Ata që e kanë parë vetëm nga fasada apo në televizor, i ftoj ta vizitojnë. Për një gjë i siguroj të gjithë ata që i kanë ndarë me dashje artistët në “me ne ose kundra nesh” – nuk ka asnjë artist që nuk e do apo nuk i dhëmb Teatri Kombëtar, përkundrazi! Të gjithë jemi teatri!

Genti Kame: Protestat për teatrin, një farsë qesharake. Duhet i ri

Në mbrojtje të projektit për ndërtimin e një teatri të ri, kryeministri Rama ka publikuar mesazhin e aktorit dhe regjisorit Genti Kame. Regjisori Kame, me një karrierë artistike mes Tiranës, Parisit dhe Romës, është shprehur pro ndërtimit të një godine të re dhe moderne të teatrit, ndërsa ka qenë mjaft i ashpër ndaj atyre personave që janë kundër tij duke e cilësuar protestën një farsë qesharake që tregon qartë se “kauzat e mëdha nuk mund të mbrohen nga njerëz të vegjël dhe artistët e vërtetë janë të rrallë dhe se ata gjenden në të shumtën e rasteve në pjesën e heshtur dhe punëtore.”.

Kame shprehet qartë pse duhet një Teatër i ri Kombëtar në vend të gërmadhës, që prej kaq kohësh ka humbur funksionet e saj, ndërkohë një pjesë e artistëve të mbështetur nga PD protestojnë për ruajtjen e  goditën së vjetër.

GENTI KAME: Pse duan këta njerëz ta lënë qytetin pa një teatër të vërtetë? Ç’interesa ekonomike dhe politike kanë? Si mundet të mbrosh një institucion si vend i shenjtë, kur njerëzit që e ndërtuan, e zhvilluan dhe e bënë të shenjtë i denigrojnë, shajnë, shpifin për ta në mënyrë të ulët ? Çfarë muresh të shenjta mbrojnë këta pseudo, kur përdhosin ikonat? Një farsë qesharake që tregon edhe njëherë se kauzat e mëdha nuk mund të mbrohen nga njerëz të vegjël, që tregon se artistët e vërtetë janë të rrallë dhe se ata gjenden në të shumtën e rasteve në pjesën e heshtur dhe punëtorë.

Kunati im, arkitekti francez me banim në Suedi, Philippe d’Aboville, më telefonoi i emocionuar që në Tiranë, arkitekti më i mirë sot në botë, projektoka Teatrin Kombëtar të qytetit tim. Kjo duhet të na gëzojë! Po flitet për ne, për mirë. Lëreni Tiranën ta ketë. Lërini qytetet moderne të shkojnë drejt lartësive.

Zhurma e PD nuk tremb Veliajn: Tirana do ketë teatër të ri

Pavarësisht protestave të nxituara nga PD, Kryebashkiaku Veliaj nuk është tërhequr nga premtimi për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Veliaj tha së ndërtimi i teatrit është një angazhim i panegociueshëm i tij dhe se Tirana e së ardhmes e meriton një projekt të tillë.

“Teatri do të bëhet, ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm. Të gjithë ata që mundohen të bllokojnë këtë proces më kujtojnë se janë i njëjti grup që kanë qenë edhe tek lodrat te liqeni, edhe te Pazari i ri, edhe kur kemi ndërtuar shkollat, edhe kur ndërtuam bulevardin, edhe kur punuam për zgjatimin e Lanës, edhe kur bëmë Bulevardin e Kasharit. Pra, është i njëjti grup i cili shëtit dhe thotë mos prek këtë, mos prek atë”, deklaroi ai.

Veliaj deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe një referendum për atë që do të jetë Tirana e së nesërmes, ndërsa siguroi se premtimet do të mbahen përpara se të plotësohen katër vitet. “Të gjithë ata që kërkojnë një referendum, ne sapo bëmë një referendum, në datën 30 qershor. Edhe në lagje të tilla në atë referendum premtuam Teatrin, në atë referendum premtuam edhe stolat. Një nga arsyet pse kthehemi në këtë mikrohapësirë është sepse mbajtëm premtimin. Nuk do presim 4 vite me mbajt premtimet në këtë lagje, por as nuk do presim 4 vite me mbajt premtimet për Tiranën, siç është Teatri, siç është vazhdimi i Bulevardit deri në fund, siç është Unaza e Madhe, dhe siç është zgjatimi i Lanës në të dyja drejtimet, si në veri, si në jug, për t’u siguruar që Tirana e së nesërmes ka më shumë hapësirë, por ka edhe më shumë infrastrukturë”, u shpreh kreu i Bashkisë. 

Siç premtoi në zgjedhjet e 30 qershorit kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, këndet e lojërave dhe hapësirat çlodhëse për të gjitha grupmoshat po shtrihen në çdo lagje të qytetit. Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin e një tjetër hapësire në një nga lagjet më të vjetra në kryeqytet, pranë zonës së njohur si ish-Restorant Durrësi, duke ndërtuar një kënd të ri lojërash për më të vegjlit dhe vendosur stola e gjelbërim për më të rriturit.

Kryebashkiaku Veliaj inspektoi këndin e ri, ku shprehu angazhimin që edhe në këtë mandat të dytë do të vijojë puna me investime të tilla. “Aty ku vë dorë Bashkia e Tiranës, jo vetëm që del në dritë, jo vetëm që është bërë më e pastër, por vjen jeta. Kur kemi kaluar në këto lagje, thonë s’ka kalamaj, por kur ndërtohet një kënd lojërash, krejt papritur dalin me qindra fëmijë. Shumë hapësira më përpara kanë qenë të zaptuara, me ferra, ose me kioska. E di që për dikë që është mësuar t’i bjerë qylit 20-30 vjet, ndoshta nuk i vjen mirë kur ne ia pastrojmë, por ama duhet të kuptojmë që përfitojnë qindra e qindra familje dhe fëmijë. Kështu që, për fëmijët ia vlen çdo investim dhe çdo debat që mund të kemi për lirimin e një hapësire publike”, tha Veliaj.

Teksa nënvizoi se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, Veliaj garantoi qytetarët e Tiranës se puna do të vijojë pavarësisht pakicave të zhurmshme që përpiqen të krijojnë pengesa

Shembja e teatrit, Gëzim Kame: Ka qenë si barakë që në 1946

Kryeministri Edi Rama vijon të përgjigjet me deklaratat e vetë aktorëve dhe regjisorëve të njohur shqiptar se pse duhet prishur Teatri Kombëtar dhe ndërtuar një i ri. Rama ka zgjedhur fjalët e regjisorit të njohur Gëzim Kame, i cili shprehet pro ndërtimit të një teatri të ri dhe thekson se kjo gjë është kërkuar nga vetë aktorët qe mëdhenj të skenës që në vitet 1946.

Në deklaratën e tij, Gëzim Kame thekson se teatri që në vitet ’46 ka qenë si barake dhe se ajo godinë thuhej se do të shembej shpejt që para 20 viteve pasi nuk mbante më.

Rama duke vlerësuar regjisorin Gëzim Kame për vlerat artistike të shtuara artit shqiptar, thekson se opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të teatrit është ai që ka qenë denbabaden.

“Gëzim Kame, regjisor i njohur i teatrit, pedagog e drejtues i katedrës së artit skenik në Institutin e Lartë të Arteve, ku u formua gjenerata e aktorëve të viteve të diktaturës, ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar drama e komedi, shumë të duartrokitura nga publiku. Opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të teatrit është ai që ka qenë denbabaden.

GËZIM KAME: Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do shembet se nuk e mban zjarrin, do të digjet shpejt, po të njëjtat gjëra. Kreu i aktorëve, Kadri Roshi thoshte: Aman more na bëni një teatër të ri! Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve sepse që në ‘46 ka qenë si barakë. Ne shqiptarët kemi fatin që po bëjmë gjëra të reja këtë periudhë dhe po marrim maksimumin e vlerës së Europës. Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një teatri të ri në atë vend ku është teatri ekzistues “ shkruan Rama në facebook.

“Ndërtimi i Teatrit të ri është emergjencë kombëtare”. Rama sjell mesazhin e Spiro Dunit

Kryeministri Rama ka publikuar mesazhin e regjisorit Spiro Duni i cili thotë se ndërtimi i teatrit të ri është emergjencë kombëtare. Duni në rolin e aktorit dhe regjisorit është ngjitur disa herë në skenën e Teatrit kombëtar dhe e di shumë mirë se çfarë ofron ajo godinë, ndaj dhe ai si shumica e aktorëve të tjerë të kësaj skene kërkon ndërtimin sa më parë të një teatri të ri.

“Spiro Duni, aktor dhe regjizor që është ngjitur vetë dhe ka ngjitur trupa aktorësh në skenën e Teatrit Kombëtar, duke krijuar vlera e promovuar talente, kërkon si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, që karakatina e qerestesë, tanimë e kthyer në kështjellën prej tallashi të politikanëve aktorë e të aktorëve politikanë, të shembet një orë e më parë për t’ia lënë vendin godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shkruan Rama.

Ndërsa Duni shkruan se projekti i teatrit të ri nuk cenon asnjë cm2 nga trualli i godinës aktuale të teatrit.

“Ndërtimi i Teatrit të ri është emergjencë kombëtare në këtë atdhe zhurmëmadh! Asnjë cm2 nuk cenohet nga ky truall dhe besoj që të zotët ndër vite do të kenë stendat e tyre të mirënjohjes në hollet e tempullit të ri!”, shkruan regjisori Spiro Duni.

Hervin Çuli: Nuk e drejtoj unë teatrin, kam bërë kallëzim ndaj këtij grupi

Teatri kombëtar është një çështje e nxehtë si mes artistëve me njëri-tjetrin edhe politikës dhe hedhjes së akuzave të ndërsjellat. Për herë të parë, Drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli ka reaguar me atë që po ndodh me institucionin që ai drejton. Çuli tha se teatri nuk po drejtohet më nga ai por as nga Ministria e Kulturës.  “Përfundimisht Teatri nuk drejtohet më as nga unë, as nga Ministria e Kulturës, por nga ky grupim” tha Çuli i cili u shpreh i shqetësuar në lidhje me të ardhmen e objekteve që ndodhen brenda teatrit. Gjatë një interviste televizive Çuli tha se për këtë ka bërë një denoncim në polici, pasi materialet e një rëndësie të madhe monetare dhe historike janë vënë në rrezik.

Detyra ime ka qenë të vë në dijeni organet kompetente, kam bërë një denoncim institucional pranë këtyre organeve, që institucioni nuk është më në kontroll të administratës dhe të punonjësve të Teatrit Kombëtar, kështu që jeni ju që duhet të merrni masat. Denoncimi ka rreth 3-4 ditë. Nuk kam asgjë me aktorët që duan teatrit, por në këtë rast është detyrim institucional në radhë të parë sepse nesër pasnesër mund të ketë objekte të dëmtuara, të vjedhura dhe përgjegjësia është mbi punonjësit. Janë vlera monetare dhe historike të jashtëzakonshme.” tha Çuli

Teatri, Greminger: Prisni vendimin e institucioneve

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Thomas Greminger ka reaguar pas deklaratave që ngjalli ftesa e tij publike që palët e përfshira në çështjen e teatrit t’i japnin kohë Gjykatës Kushtetuese të merrte një vendim. Me një reagim të dytë, Greminger deklaroi se përgjigja e tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe bënte sërish thirrje për të gjitha palët e përfshira në çështjen e teatrit të tregonin vetëpërmbajtje. Greminger përsëriti thirrjen e tij se i duhet dhënë kohë institucioneve të vendit që të vendosin në lidhje me një çështje të cilin këtë herë e cilësoi “të ndjeshme dhe të politizuar”.

“Vërej me shqetësim se përgjigja ime ndaj një ftese publike është nxjerrë nga konteksti. Këshilla ime për të gjitha palët ishte dhe është që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe t’i lënë procedurave institucionale kohën e duhur për marrjen e një vendimi në lidhje me një çështje të ndjeshme e të politizuar. Jam i bindur se institucionet do të jenë të afta që t’i japin zgjidhje kësaj çështjeje ligjore, në përputhje me sundimin e ligjit dhe parimet demokratike. Unë dhe OSBE mbetemi të përkushtuar që të mbështesim procesin e reformave në Shqipëri”, shkruan Greminger në twiter.

Disa ditë më parë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i bëri një ftesë publike sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Greminger të bashkohej me ta dhe të gjenin një zgjidhje të mundshme që do të ndihmonte teatrin. Letrës publike Greminger  u përgjigj duke hënë se “të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje.” Të njëjtin qëndrim Greminger mbajti edhe ditën e mërkurë që t’i jepet kohë institucioneve të vendosin për këtë por duke e quajtur këtë herë një “çështje të ndjeshme dhe të politizuar.” dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje.  Protesta e disa artistëve që nisi për mbrojtje e teatrit nga shembja u politizua shpejt që pas “rrëmbimit” të saj nga Partia Demokratike.

Teatri, Soreca: Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i pyetur nga mediat ka dhënë meditimin e tij në lidhje me debatin për teatrin. Soreca është treguar i kujdesshëm teksa thotë se kjo është një çështje që i përket autoriteteve shqiptare për të vendosur nëse duhet shembur ose jo teatri, por ai e cilëson këtë temë mjaft delikate dhe tejet të politizuar.

 “Kjo çështje është shumë e rëndësishme, pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare që janë përfshirë shumë ndjesi, ndjenja, dhe është një çështje delikate por edhe e politizuar. Nuk na takon ne që të themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re apo rinovim të ndërtesës së vjetër, këtë e thanë autoritetet shqiptare. Pozicioni ka qenë mjaft i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar”- është shprehur Soreca.

Sipas ambasadorit të BE-së, për të e rëndësishme është që të sundojë ligji dhe procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE-së.

 “Është lançuar tenderi, kritere të qartë dhe transparente për këtë projekt dhe po ashtu të ketë një qasje të drejtë dhe të ndershme në lidhje me këtë çështje. Mendoj që kjo është një çështje e cila vazhdon të ketë debat të madh në Shqipëri. Për ne, siç e thashë, është e rëndësishme të respektohet sundimi i ligjit. Procedurat e tenderit të jenë në përputhje me ato të BE, tenderi është i hapur deri në shtator, e rëndësishme është çështja e konkurrencë së lirë dhe të drejtë dhe ai të jetë i hapur deri në 19 shtator”- tha ambasadori.

Prej disa ditësh godina e vjetër e teatrit kombëtar mbrohet me turne nga militantë të PD-së dhe një grup aktorësh që kundërshtojnë shembjen e tij, pavarësisht se shumica e artistëve  me emër kërkojnë ndërtimin e një godine të re, pasi kjo është e amortizuar dhe nuk ofron kushte për aktorët.

Teatri, Petro Koçi: “Të pavarurit” flasin më djathtë se vetë Basha

Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi është bërë pjesë e reagimet në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar, duke kritikuar disa zëra publik në lidhje me mbrojtjen e godinës aktuale të tij. Koçi tha se këto zëra, si në rang artistësh, analistësh dhe vetë opozitës, flasin gjoja në mënyrë të pavarur pasi “kjo pavarësi” ju siguron atu të ardhura, ose e bëjnë thjeshtë për inate personale me Ramën apo me shpresën se një ditë mund të bëhen deputetë.

Petro Koçi, me një postim në Facebook, tha se Basha u fut drejt një aventure dëmprurëse për opozitën dhe procesin politik, i nxitur nga personat që në fakt flasin me një gjuhë më të djathtë se vetë PD-ja. Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi tha se nëse projekti për teatrin e ri është si ajo e stadiumit, atëherë të bëhet sa më parë pasi bota e re ndihet mbi gërmadha.

“Për mua është tejet zhgënjyese gjuha arrogante dhe e tërbuar në debatin publik e disa gjoja të pavarurve të cilëve ‘pavarësia’ u siguron të ardhura. Në vend që të dëgjojmë prej tyre modelin e fjalorit të moderuar dhe argumentues, në fakt konstatohet një llogorizim politik ku ata sillen qartazi me të djathtë se Basha. Ka prej tyre që me shpresën për t’u bërë një ditë deputetë e nxitën Bashën drejt aventurës me dëmprurëse të mundshme për opozitën dhe procesin politik.

Disa, thjesht për inate personale me Ramën janë gati të përfshihen dhe fizikisht në aksionet e opozitës për të bllokuar edhe projekte të cilat nuk janë të natyrës së mirëfilltë politike duke politizuar në fakt jetën shoqërore dhe intelektuale me keq se në kohën e regjimit monist.

Te qenit gjoja i pavarur nuk të jep ndonjë monopol moral dhe as të drejtën që për çdo gjë të përfshihemi si në çështjet e futbollit ku ne të gjithë jemi trajnerë e analiste me licencë. Kultura politike dhe ajo e diskursit publik ka nevojë për të moderuarit, për intelektualizmin që nuk nam bjeshkët sa here u dalin përpara. Dhe çështja e teatrit nuk i jep kujt te drejtën e monopolit moral ku disa kane autoritetin te ta japin apo te ta heqin triskën e frontit.

Me Kico London kam punuar për atë teatër. Po. Kam punuar. Vullnetarisht. Nuk jam ekspert i bashkëpunimit publik-privat. Por nëse procesi i realizimit te teatrit te ri është kopje a atij te stadiumit jam dakord. Bota e re ngrihet gërmadhash! Prandaj edhe tribuna qendrore e stadiumit duhet te mbaje emrin e madh te Cese tone, QEMAL STAFA!” shkruan Koçi në Facebook.

Shembja e teatrit, Bashës i mbarojnë edhe akuzat

Akuzat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndaj kryeministrit Rama në lidhje me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar kanë nisur një vit më parë dhe sërish përgjatë gjithë këtij vit nuk i mbështeti një herë artistët, nuk mori pjesë në Kuvend ku po diskutohej projektligji për teatrin duke bojkotuar seancën dhe sigurisht nuk erdhi me një zgjidhje për situatën as dje dhe as sot, me nënshkrimin e kontratës mes artistëve dhe PD.

Duket se Bashës i kanë mbaruar akuzat e tij dhe prej më shumë se një viti vijon të përsëris të njëjta gjëra. Këtë e ka bërë të ditur dhe vetë Partia Demokratike, përmes njoftimit të shpërndarë për mediat duke cituar një deklaratë të Bashës të një viti më parë.

“Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë.

Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës.

Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri.”

P. S. I lumtur që kontratën e nënshkruam brenda Teatrit Kombëtar këtë të enjte!”, shkruan Basha.

Sot pas një viti, Basha ka rimarrë sërish protestën e artistëve që kërkojnë të mos shembet Teatri Kombëtar duke u bërë edhe një herë protagonist dhe duke e politizuar atë, sërish pa ofruar asnjë zgjidhje se si do të shmang projektin e ndërtimit të teatrit të ri.

Në fakt duhet theksuar se kur qeveria zbuloi projektin për të shembur teatrin dhe për të ndërtuar një të ri, u ngritën në protesta aktorë  që vunë theksin në ruajtjen e godinës për shkak të vlerave historike.  Përfaqësues të qeverisë por edhe kryebashkiaku Veliaj nisën negociatat me aktorët dhe komunitetin e artistëve si dhe qeveria i kërkoi opinion BE-së në lidhje me projektligjin për arritjen e një marrëveshje sa me efikase për artin dhe kulturën. Në asnjë nga këto etapat e diskutimit apo edhe në Kuvend, Basha apo eksponentë të PD-së nuk zgjodhën të merrni pjesë për të shmangur atë që atë sot e quajnë “aferë korruptive e Kullave 200 milionë Euro te Teatri Kombëtar”

Skip to toolbar