Kryeministri Edi Rama foli ashpër në Kuvend, në debatin për miratimin e Rezolutës për “Hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE”. Rama u është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës në Kuvend, por dhe asaj jashtë parlamentit, në lidhje me kushtet e vëna nga Gjermania. Kryeministri u shpreh se kushtet Gjermane janë për politikë të brendshme, dhe jo për hapjen e negociatave.
“Kushtet Gjermania i ka vënë në funksion të politikës së vetë të brendshme. Ka vota pro ka dhe vota kundër, me gjithë kushtet. Të jeni të qartë, Gjermania ka thënë Pro për një arsye. Kancelaria ka vënë veton se nuk ka ndarje midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Grupi parlamentar u rreshtua “pro” Shqipërisë. 9 kushtet nuk janë 9, por janë 999. Sepse ne, në procesin e integrimit, duhet të ndërtojmë Shqipërinë Europiane. Ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë, siç u thanë, do të bëhen. Sa kohë ka që u fol, çfarë është Vettingu; pushim nga puna. Jo, është pastrim i sistemit”, tha Rama.
Më tej, Rama shpjegoi se në situatën në të cilën ndodhet Bashkimi Europian aktualisht, asnjë vend anëtar i tij, nëse do të ishte kandidat, nuk do të merrte dritën jeshile për hapjen e negociatave. “Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE”.
Duke vijuar me kritikat ndaj Bashkimit Europian, Rama u shpreh se Unioni është në krizë, pasi brenda tij diskutohet jo zgjerimi, por dalja e vendeve anëtare nga BE. “Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor. Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë ”, tha Rama. /Realstory.al/