Rama mesazh BE: Mos i lini vendet kandidate të luajnë me “gangsterin rus” dhe “lodrat kineze”

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian që të marrin pa vonesa vendimet politike për zgjerimin, ndërsa vlerësimi i vendeve kandidate të vijojë më pas sipas meritës dhe përmbushjes së kritereve.

Gjatë fjalës së tij, Rama përdori si shembull familjen e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për të argumentuar se BE-ja duhet t’i mbajë vendet kandidate pranë saj dhe të mos krijojë hapësira për rritjen e ndikimit të Rusisë apo Kinës.

Sipas kryeministrit, vendet kandidate nuk duhet të bëhen të rëndësishme për Europën vetëm në momente krizash, si pandemitë, sulmet apo valët e emigracionit të paligjshëm, por duhet të jenë pjesë e një procesi të vazhdueshëm afrimi me unionin.

“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka. Ka një koincidencë, shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka shtatë kandidatë.

Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: ‘Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, se mami është pak e zënë’. Nuk i tha djalit: ‘Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit’. Nuk duhet të kujtojmë se jemi në Europë sa herë ka një sulm apo kur ka ndonjë pandemi dhe gjendemi rreth kësaj tavoline. Apo kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Europë; në ato momente nevojitemi edhe ne, sepse rruga e emigracionit kalon nga këtu. Shumë e thjeshtë është: hajdeni, bëjeni”, tha Rama.



Skip to toolbar