Rama në OKB: “Revolucioni Flamingo” ishte një pushtim që nuk ndodhi kurrë

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për ndikimin e dezinformimit dhe inteligjencës artificiale në shoqëri, duke iu referuar edhe të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”.

Rama e përshkroi këtë si një narrativë të trilluar për një pretendim se Izraeli kishte pushtuar bregdetin shqiptar, ngjarje që, sipas tij, nuk kishte ndodhur.

“Keni ndjekur ose keni mësuar për Revolucionin Flamingo, narrativë të trilluar të një pushtimi izraelit të bregdetit shqiptar, pushtim që nuk ndodhi kurrë, u fabrikua dhe u përcoll përmes kanaleve që qytetarët u besonin tashmë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qytetarët mund të kenë arsye reale për të protestuar, por sipas tij, në këtë rast protesta u ndikua edhe nga një kërcënim i sajuar.

“Qytetarët kanë arsye të protestonin, por protestuan edhe kundër një armiku fantazmë. Frika u shndërrua në zemëratë, kjo në mobilizim dhe trillimi në realitet politik”, u shpreh ai.

Rama e lidhi këtë fenomen me mënyrën se si algoritmet dhe platformat dixhitale mund të identifikojnë dhe aktivizojnë emocionet e njerëzve.

“Nuk ishte eksperiment politik, algoritmi nuk shpiku dhe ndezi urrejtjen, por zbuloi se si të aktivizonte urrejtjen tonë”, deklaroi kryeministri.

Në fjalën e tij në OKB, Rama e përdori këtë shembull për të ngritur shqetësime mbi ndikimin e teknologjisë, dezinformimit dhe algoritmeve në formësimin e opinionit publik dhe të realitetit politik.



Skip to toolbar