Rama: Kuvendi vepron kur presidenti “çmendet”

Më të fundit


Kryeministri Rama i ka ashpërsuar tonet ndaj Metës, duke e cilësuar të papërgjegjshëm për dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve, duke deklaruar qartë se nuk do të tërhiqen nga shkarkimi, pasi sipas tij, Kuvendi ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet. Rama e ka bërë këtë deklaratë nga Divjaka, ku i është rikthyer takimeve elektorale, i cili që të dielën, një ditë pas njoftimit të Presidentit, kur ishte në qarkun e Dibrës, ai nuk kishte marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve socialistë.

“Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe çfirmos, sikur bota të hynte në logjikën e Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej nuk do të kishte më shtet, rregull dhe drejtim, por do të bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe. Prandaj kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar pa përgjegjshmërie dhe që nuk mund as të pranohet dhe as të tolerohet. Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit për sa kohë fuqia e popullit sovran është te parlamenti dhe që parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet” tha Rama para socialistëve të Divjakës.

Sipas Ramës, veprimi i Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve ka zbardhur planin e opozitës, duke kuptuar të gjithë se ku fle lepuri. “Do të kishim dëshiruar që këtë fushatë ta kishim garë me kundërshtarët tanë për të parë idetë dhe kandidatët më të mirë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, pasi kanë kapitulluar para se të fillojë ndeshja. Nuk përballen dot me ne në zgjedhje, kanë frikë nga gjykimi i njerëzve dhe të maten me ne duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë dhe shpifur dhe kërcënuar. Frika nga zgjedhjet dhe tmerri nga reforma në drejtësi dhe paniku ka bërë që të kthehen në një front kundër celjes së negociatave. Nesër do të flasim më shumë, por akti i fundit i Metës e ka zbardhur plotësisht planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri. Sigurisht që ne kemi bërë shumë por në asnjë mënyrë sa do të donim” deklaroi kryeministri.

Më tej, ai tha se kjo nuk është dëshira e tij për të realizuar zgjedhjet më 30 qershor, sepse shtyrja e tyre do të sillte më shumë përfitime për PS-në, pasi ka shumicën e bashkive, por sipas tij, kjo rrugë e shkurtër është shumë më e gjatë dhe sjell një sërë pasojash për rrugëtimin e Shqipërisë për në BE. Prandaj, ai u shpreh i vendosur që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. “Ju e dëgjuar nga goja e presidentit të komisionit në Bruksel, mos bërja e zgjedhjeve e dëmton rrugën europiane të Shqipërisë, jo ajo që thotë Meta. Që zgjedhjet do të bëhen në 30 Qershor, kjo nuk diskutohet. Që në 30 Qershor, ai plaku do ta mësojë që çfarë është mësuar të bëjë me socialistët është kohë e shkuar për t’u harruar. Pas 30 qershorit do të jemi në një Shqipëri tjetër” tha Rama. 



Skip to toolbar