Rama: Përgjegjësia e BE. Shqipërinë europiane e kemi testament

#NËRADAR


Mungesën e një vendimi pozitiv të Këshillit Europian për hapjen e negociatave ndaj Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama e cilëson si përgjegjësi të Bashkimit Europian. Në konferencën për shtyp, që mbajti pasditen e të premtes, kreu i qeverisë u shpreh se Shqipëria bëri përpjekje maksimale për të marrë atë që i takonte, jo njëherë, por dy herë rresht, duke pasur parasysh vendimin e Këshillit Europian në qershor. “Janë bërë përpjekjet maksimale për të marrë atë që na takon, asgjë më shumë. Por atë që kemi merituar. Këtë nuk e them unë, por tanimë e ka thënë jo vetëm Komisioni Europian, por e thanë pjesa më e madhe e kryeminsitrave të BE. Dua ta vë theksin shumë qartë, se ndërkohë që ata të cilët janë jashtë nesh, ata që përfaqësojnë BE, e thonë pa ekuivok se me mosarritjen e vendimit të djeshëm, përgjegjësia është e brendshme e BE, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme se këtu fillon dhe shtrohet diskutimi se mosvendimi i djeshëm vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave. Ne i kemi përmbushur, jo njëherë por dy herë rresht. Prej kohësh, sa herë kanë folur, kanë vendosur një ?. Kryeministri Italian e quajti gabim historik”, tha Rama.

Duke treguar se kishte pasur mesazhe nga shumë kryeministra të vendeve të BE, por dhe nga Presidenti i Francës Emanuel Macron, Edi Rama u shpreh se procesi i vendimmarrjes shkoi drejt përplasjes midis Gjermanisë dhe Francës, për shkak të qasjes që kanë dy vendet për zgjerimin. “Nga ana tjetër dua t`ju them se kam marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh nga një pjesë e kryeministrave në takim, me disa prej tyre. Kam komunikuar edhe me Macron. Nëse duam të shohim në sy të vërtetën është ajo që kam thënë prej disa kohësh, duke e parë nga të gjitha kontaktet, se procesi po shkonte drejt një përplasje qasjesh  mes Francës dhe Gjermanisë dhe një pjese të konsiderueshme që ishin për “Po”. Ndërkohë që Gjermania bëri një lëvizje me shpresën e kompromisit. Franca nuk pranon të vazhdohet me të njëjtin proces. Franca kërkon një reformim të brendshëm të BE dhe transformim të procesit të integrimit, deri në pikë që të arrihet deri në një tjetër objektiv për integrimin”, tha Kryeministri.

Europa, i kujt është faji?

Sipas Kryeministrit Edi Rama, në situatën aktuale të BE-së, asnjë nga vendet që aktualisht janë anëtare të unionit, nëse do të ishin aktualisht në statusin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk do kishin marrë hapjen e negociatave. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama vijoi duke u shprehur se mospasja e vendimit nga Këshilli i Europës, ishte një refuzim, por asgjë më shumë. Ndaj sipas tij, Shqipëria do të vijojë të përmbushë kushtet e kërkuara nga Bundestagu. “Kemi marrë një refuzim për hapjen e negociatave mbrëmë, por nuk kemi asgjë më shumë se kaq. Ne ato që kemi bërë do vazhdojmë ti bëjmë, për vendin tonë. Nëse kemi bërë reformën në drejtësi, që nuk u është kërkuar fare disa prej vendeve që kanë hyrë në BE, jo para se të çeleshin negociatat por as kur kanë qenë në përfundim të tyre. Ashtu sikundër, do të vazhdojmë me plotësimin e parakushteve të vendosura nga Bundestagu për reformën zgjedhore dhe natyrisht në pritje të plotësimit të Gjykatës Kushtetetuese. Do të vazhdojmë më pas me pjesën tjetër që ka të bëjë, me kërkesa të lidhura me funksionimin më të mirë të shtetit dhe institucioneve tona. Jo se e ka kërkuar Gjermania, ne do ti bëjmë këto dhe të gjitha të tjerat pa ndryshuar asgjë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria punoi maksimalisht për të ndryshuar mendimin e disa vendeve. Ai mori si shembull Gjermaninë, që sipas Kryeministrit në qershor nuk kishte të njëjtin qëndrim si tani. Rama tha se Gjermania ndryshoi për shkak të fakteve, duke bërë që vetë Kancelaria Angela Merkel të punonte maksimalisht për të arritur një kompromis. “Ne do vazhdojmë të ndërtojmë Shqipërinë europiane këtu në vendin tonë. Me përpjekjen tonë kemi kthyer Gjermaninë. Në qershor nuk e kishim në pozicionin që kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe, dhe vecanërisht mbrëmë. Kancelarja bëri gjithçka për të arritur në një kompromis. Këshilli nuk ka asgjë të shkuar, është zero. Sepse nuk ka asnjë pikëtakimi. Është një përplasje e madhe për të nesërmen e BE-së. CDU/CSU i kemi kapërcyer me diplomaci dhe me gjuhën e fakteve dhe kemi marrë mbështetje prej shumicës prej tyre. Tani na mbetet të vazhdojmë dhe s`ka asnjë alternativë tjetër. Shqipëria europiane nuk është njëri nga planet, është testament dhe detyrimi i madh që ne i kemi gjeneratave të tjera”, tha Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkonte një mocion besimi në Kuvend, Kryeministri Edi Rama u shpreh se këtë, nëse do t`ia kërkonte, do të ishte vetëm parlamenti i Francës, pasi parlamentit të Shqipërisë nuk kishte pse t`ia kërkonte. “Mund t`ia kërkoj parlamentit francez, por parlamentit shqiptar nuk kam për çfarë t`ia kërkoj. Maqedonia ka 14 vjet që pret të çel negociatat. Ka 14 vjet që merr sinjale pozitive, dhe nuk merr asnjëherë “Po”. E detyruan të ndryshonte emrin, identitetin. Dhe thanë që po u bë kjo, u zgjidh”, tha Rama.



Skip to toolbar