“Në SHBA mbyllen portalet”, Rama: Në vendet e BE shpifja është vepër penale

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë te paketa “Anti-shpifje”, që pritet të miratohet në Kuvend. Rama lexoi emrat e 20 shteteve europiane që sipas tij e dënojnë dhe e cilësojnë “shpifjen” vepër penale. Rama tha, gjithashtu, se shtete të tjerë në Europë vendosin gjoba të mëdha për shpifjen dhe fyerjen.

“Këtu jemi përballë një turme që nuk denjon të lexojë dhe thotë hapur nuk na intereson çfarë shkruhet në ligj, ne nuk duam ligj. Raporti i OSBE 2017 në 3/4, pra në 42 shtete nga 57 anëtare të OSBE, fyerja dhe shpifja është vepër penale. Nga analiza e thellë për ligjin,  rezulton se ka tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes. Së pari, 20 shtete, Austria, Belgjika, Çekia, Danimarka, Finlanda, Gjermania, Polonia. Portugalia, Sllovenia, Spanja, Greqia, Italia, Suedia, Luksemburgu. Malta, Holanda, etj,. parashikojnë fyerjen vepër penale që dënohet me burg”.


“5 shtete, Qipro, Irlanda, etj, e rregullojnë me pasojat e tyre në legjislacionin civil. Dhe Anglia zbaton gjobën më të lartë 200 mijë stërlina. Bullgaria dhe Franca e parashikojnë vepër penale dhe dënim me gjobë dhe jo me burgim. Legjislacioni më i ashpër ndaj fyerjes dhe shpifjes, është ai i Gjermanisë. Kodi Penal parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen, dhe rastësisht është vendi ku ka më pak shpifje, më pak fyerje”, tha Rama.

Kryeminstri shtoi gjithashtu se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Byroja e Hetimit ndërhyn pa vendim gjykate për të mbyllur website dhe përmbajtje që quhen cënuese në shumë aspekte.

“Në SHBA Byroja e Hetimit ndërhyn pa asnjë vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo lloj website dhe çdo lloj përmbajtje që konsiderohet cënuese në shumë aspekte. Në Gjermani është miratuar ligji për përmirësimin e zbatimit të ligjit ekzistues në rrjetet sociale, dhe është sot përpjekja më e suksesshme për të shuar përmbajtjen potencialisht të dëmshme në interneti”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se institucionet ndërkombëtare dolën kundër paketës, duke u shprehur “mos ju refernoi këtyre shteteve, se ato i kanë ligjet shumë të ashpra”. “Thanë, mos ju referoni këtyre shteteve se këto i kanë ligjet shumë të ashpra, nuk janë këto shembulli që duhet të ndiqni”, tha Rama.




Skip to toolbar