Një përfaqësi e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, e udhëhequr nga nënkryetarja e këtij grupi për Europën Katja Leikert, kanë zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe ministret Elisa Spiropali dhe Etilda Gjonaj. Takimi është zhvilluar në zyrën e kreut të qeverisë Edi Rama, ndërkohë që lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Elisa Spiropali. ‘Me nënkryetaren e Grupit Parlamentar CDU/CSU për Europën, Katja Leikert, dhe delegacionin nga Bundestag-u gjerman”, ka shkruar Spiropali në rrjetet sociale.
Në fakt, ky tekst dhe foto e përbashkët është i vetmi detaj nga ky takim, ndërkohë që nuk dihet axhenda apo çfarë është biseduar gjatë këtij takimi. Megjithatë, duket se nuk është rastësi një takim i tillë, pasi ditët e fundit në vendin tonë, kryesisht nga opozita dhe kreu i PD Lulzim Basha, po ‘promovohet’ partneriteti me gjermanët dhe mbështetja e CDU/CSU. Kjo mbështetje ka marrë trajta idesh në shpalljen e Gjermanisë si “Partner Strategjik”, ide të cilën e ka promovuar ish-deputeti PD, Kastriot Islami.
Ndërkohë, Lulzim Basha, i mbetur pa mbështetje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjë të cilën e ka konfirmuar pikërisht shkrimi i Kastriot Islamit dhe vetë kreu i PD në një intervistë për Syri.net. ku foli për vizitë në SHBA por s`përmendi asnjëherë DASH, ka theksuar ‘mbështetjen e CDU/CSU’, në publik si ‘aleatët që do t`i japin zgjidhje krizës’.
Këtë qëndrim, Basha e mbajti dhe të martën në mesditë gjatë një dalje për mediat, ku la të kuptohet se do të pranonte ‘dialogun me Ramën’ me ndërmjetësimin e CDU/CSU, pasi deklaroi se “vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt BE, duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si një shoqëri europiane, si një politikë europiane”. Megjithatë, nuk mund të thuhet ende se prania në Tiranë e delegacionit gjerman, është shenjë e konfirmimit të tërheqjes së Bashës nga pozicioni i ‘mospranimit’ të dialogut me Kryeministrin Rama.