Në takimin me qytetarët që kanë gjetur zgjidhje përmes platformës “shqipëriaqëduam”, kryeministri Edi Rama, ka kritikuar deputetët dhe kryebashkiakët që të marrin si shembull këtë platformë për t’i zgjidhur hallet qytetarëve.
Sipas Ramës, kjo platformë duhet të shërbejë edhe për deputetët, kryetarët e bashkive dhe drejtorët në përgjithësi, të cilët sipas tij nuk kanë vepruar deri më tani për të ndihmuar qytetarët.
“E njëjta gjë ndodh edhe me zyrën time në Whatsapp, gjithkush që ka mundësi të veprojë për të ndihmuar duhet ta bëjë këtë gjë, deputetët kryetarët e bashkive drejtorët, shumica nuk e bëjnë. Por ajo që po ndodh edhe në rastin e deputetëve është që kanë filluar intensivisht të shfrytëzojnë platformën, duke e shfrytëzuar, dhe është platforma që lidh qytetarin me institucionin”, tha shefi i mazhorancës
Rama theksoi se platforma e bashkëqeverisjes nuk i lë qytetarët në baltë për shkak të procedurave burokratike, siç ndodhte më parë, por u jep zgjidhje atyre. “Mijëra letra në muaj nga qytetarët. Letrat mbeteshin rrugët dhe qytetarët nuk merrnin përgjigje. Kryeministria i delegonte tek ministritë. Ministritë i harronin në sirtarë dhe qytetari mbetej pa përgjigje. Sot nuk ka qytetar të shkruajë dhe të mos marrë përgjigje, jo natyrisht gjithmonë pozitive se ka raste kur kërkesa është e padrejtë”, tha Rama.
Ai gjithashtu tha se platforma për bashkëqeverisjen është një platformë që i mpin “buburrecat” dhe disa prej tyre i shtyp, duke nënkuptuar me “buburreca” të gjithë punonjësit e administratës, që nuk iu shërbejnë qytetarëve.
Nga platforma dixhitale për bashkëqeverisjen, janë me qindra qytetarë që kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre.