Apartamentet stok, Rama thirrje ndërtuesve: Të jepen me çmim të ulët, përndryshe jo

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë tha se kjo është mbledhja e fundit që zhvillohet në kushtet e situatës së jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se qeveria po vepron me kompanitë e ndërtimit për të blerë apartamentet stok me çmim të ulët, përndryshe nuk do të procedojnë. Rama tha se ky nuk është rasti që apartamentet të blihen për të shtuar fitimet e firmave.

“Kjo është mbledhja e fundit që bëjmë në kushtet e jashtëzakonshmërisë, mbledhjet e tjera do fokusohen në zyrën e ministrit të plotfuqishëm. Durrësi është pak më problem. Po përgatitet edhe thirrja për të dhënë leje për blerjen e apartamenteve. Çështje e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku me një thirrje për ata që kanë apartamente stok me një çmim të ulët. Do marrim çmimin më tavan të ulët që do të përcaktojmë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”, tha Rama.

Rama tha se në tre qarqet e prekura nga tërmeti janë në terren 103 grupe në terren. Aktualisht janë shembur 33 objekte dhe 5 janë në proces, ndërsa vijon mbledhja e dokumentacionit për hetimet për 155 objekte të futura në kategorinë e rrezikut.

“Aktualisht kemi një terren 103 grupe inspektimi në të treja qarqet e prekura dhe kemi një numër të konsiderueshëm grupesh të ekspertëve të huaj që mbështesin ekspertimet. Dua të qëndroj tek nevoja e planit të veprimit për shembjet. Janë 33  objekte të shembura, 5 në proces. Vijon mbledhja e dokumentacionit për hetimet për 155 objekte të futura në kategorinë e rrezikut. Nuk mund të vazhdojë gjatë kjo histori. Duhet bërë edhe ndarje e punëve për këtë plan, prishja e objekteve dhe përcaktimi i grupeve që do të bëjnë monitorimin”, tha Rama.



Skip to toolbar