Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në Tiranë dhe për rreth një orë ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi u zhvillua në zyrën e Ramës në Kryeministri.
Vetë presidenti i Kosovës ka treguar në facebook se me kryeministrin shqiptar kanë biseduar për situatën politike në Shqipëri, Kosovë dhe në Rajon.
“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, shkruan Thaçi në Facebook.
Një ditë më parë u zhvillua grupi koordinator i punës që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive, pra qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Kujtojmë se marrëdhëniet mes Ramës dhe Haradinajt kohët e fundit janë ftohur që prej samitit të Berlinit ku dy kryeministrat shprehën qëndrime të ndryshme në lidhje me taksën për mallrat serbe në Kosovë. Haradinaj u shpreh në media se Rama e Thaçi i kishin bërë presion për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, por kjo deklaratë e tij u hodh poshtë nga kryeministri shqiptar.