Anulohet takimi i 1 korrikut në Paris, Haradinaj: Nuk e di arsyen

Takimi i planifikuar për t’u zhvilluar në 1 Korrik mes Kosovës dhe Serbisë për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve është anuluar, por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e di arsyen.

Ai thotë se nuk ka informacione pse është anuluar takimi i Parisit. “Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk i di. Por, një gjë mund të ju konfirmojë se Kosova është palë serioze. Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet.


Ndërsa  presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, anulimin e takimit të Parisit e lidh pikërisht me refuzimin e Prishtinës që ta heqë taksën ndaj Serbisë. “Nuk do të ketë takim në Paris. Gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato”, u shpreh nga Bjellorusia ku po qëndron Vuçiç.

Ndërsa qeveria gjermane dhe presidenca franceze konfirmonin anulimin e takimit të Parisit, në Prishtinë mediat njoftuan për një takim “të fshehtë”, në Berlin, të këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj me këshilltarët e Presidentit serb Vuçiç. Më vonë ky takim u konfirmua nga Haradinaj dhe Vuçiç por, kjo ngjalli reagime të ashpra në Prishtinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi në Berlin (që u zhvillua ndërmjet Avni Arifit ish-udhëheqës i dialogut teknik dhe Marko Gjuriqit shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë) ka qenë formal jo publik. “Mendoj që është mirë që po qartësohet se çka ka mbet pa u zgjedh. Ballafaqimi i delegacionit teknik ka konfirmuar se e vetmja çështje pa u zgjidh është njohja. Është sqaruar shumë mirë se çka mundet me pas zgjidhje. Takimi ishte formal, jo publik. Delegacionit e dy palëve janë taku. Nikoqirë ka qenë Zyra e Kancelares gjermane. Partnerët e koalicionit kanë qenë paraprakisht të njoftuar. Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk ka qenë fare pjesë e bisedave”, tha Haradinaj, raporton Deutsche Ëelle.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se me shtyrjen e takimit të Parisit, do të vonohet edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pacolli përmes një shkrimi të bërë në Facebook, ka pohuar se Kosova nuk do të mbetet peng dhe as e izoluara nga tekat e Serbisë, ai ka shtuar se çdo pengesë që po i bëhet Kosovës, është pengesë që po i bëhet edhe rajonit në proces të rrugëtimit evropian.

Më tej ai ka theksuar se, Serbia po mbahet e lidhur fortë me Rusinë, prandaj vendet e tjera nuk kanë pse të mbesin peng i kësaj axhende.


Dekreti për zgjedhjet, Meta dy orë takim me ambasadorët e BE-së

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të hënën një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian, në Pallatin e Brigadave.

Takimi që ka zgjatur rreth 2 orë mësohet se është zhvilluar për të diskutuar në lidhje me krizën që ka përfshirë prej muajsh, gjithë politikën shqiptare si dhe dekretin e presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve.


Bëhet e ditur se Presidenti i ka sqaruar ambasadorët e BE për dekretin ndërsa ka dhënë argumentet e tij se ai është i mbështetur në Kushtetutë dhe se tashmë ka fuqi ligjore pasi është botuar ne Fletoren Zyrtare.

Deri tani ndërkombëtarët si BE ashtu dhe SHBA, nuk e kanë mbështetur aktin e presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet ndërsa kanë bërë thirrje që ato të mbahen sipas afateve kushtetuese. Ndërkombëtarët kanë vënë theksin në të drejtën që kanë qytetarët shqiptarë për të votuar dhe për të marrë pjesë çdo 4 vjet në zgjedhje, ashtu sikurse parashikohet në Kushtetutë, ndryshe nga sa e justifikon presidenti Meta.


Vendimi i Metës, Rama kërkon mbështetjen e ambasadorëve

Kjo e hënë nisi me zhvillime të rëndësishme vetëm pak pasi lindi dielli. Presidenti i Republikës Ilir Meta doli siç kishte parashikuar në konferencë për shtyp në orën 08:00, duke folur për më shumë se 40 minuta, kur renditi, sipas tij, argumentet kushtetues dhe moral, për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Direkt pas kësaj lëvizje, Kryeministri Rama, që gjithashtu ditën e ka nisur më herët se zakonisht këtë fillim jave, mblodhi në selinë Rozë Kryesinë e Partisë Socialiste, ku ndër pikat e diskutuara ishte pikërisht mbajtja e një seance të jashtëzakonshme paralamentare të enjten, ku do të diskutohet dhe nis procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.


Dekreti i Metës. Çfarë është presidenti për ju?

Lajmin për këtë vendim e dha zëdhënsja e Qeverisë Elisa Spiropali, e cila konfirmoi se Ilir Meta nuk e meriton më të jetë në zyrën që ka. Më tej, Kreyministri Rama ka planifikuar një takim me ambasadorët e vendeve partnere, i cili do të mbahet në orën 11:00 në Kryeministri, ku padyshim, fokus do të jetë kriza politike në vend dhe lëvizja e paparashikuar e Ilir Metës. Sakaq, ambasadorët e vendeve anëtare të BE, do të zhvillojnë një takim paraprak me ambasadorin e BE Luigi Soreca.


Rama-Thaçi, takim kokë më kokë në Kryeministri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në Tiranë dhe për rreth një orë ka zhvilluar një takim kokë më kokë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi u zhvillua në zyrën e Ramës në Kryeministri.

Vetë presidenti i Kosovës ka treguar në facebook se me kryeministrin shqiptar kanë biseduar për situatën politike në Shqipëri, Kosovë dhe në Rajon.


“Si gjithmonë, kënaqësi takimi me kryeministrin Edi Rama. Biseduam për aktualitetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe rajon, si dhe për përgatitjet e Kosovës për Samitin e Parisit”, shkruan Thaçi në Facebook.

Një ditë më parë u zhvillua grupi koordinator i punës që kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive, pra qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës. Kujtojmë se marrëdhëniet mes Ramës dhe Haradinajt kohët e fundit janë ftohur që prej samitit të Berlinit ku dy kryeministrat shprehën qëndrime të ndryshme në lidhje me taksën për mallrat serbe në Kosovë. Haradinaj u shpreh në media se Rama e Thaçi i kishin bërë presion për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, por kjo deklaratë e tij u hodh poshtë nga kryeministri shqiptar.


Cakaj takon Jagland: Kemi bërë reforma për integrimin

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jagland, në ministerialin e Këshillit të Evropës.

Në këtë takim Cakaj tha se Shqipëria ka bërë një sërë reformash për të merituar integrimin evropian të vendit, ndërsa ka marrë vlerësime nga bashkëbiseduesi.


Me tej të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se për forcimin e karakterit pan-Evropian të kësaj organizate, për tejkalimin e problematikave institucionale, politike dhe financiare, nevojitet kontributi i përbashkët i të gjitha vendeve anëtare.

Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije Sekretarit të Përgjithshëm të KiE përfshirjen e Shqipërisë në reforma të brendshme të thella e të rëndësishme në kuadër të forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për çka ka pasur edhe ndihmën dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës.

Gjithashtu Ministri në Detyrë Cakaj e informoi mbi punën që po bëhet nga qeveria shqiptare për realizimin e disa objektivave dhe prioriteteve të politikës së jashtme siç janë integrimi evropian, kryesia e OSBE-së 2020 dhe marrja e një vendi jo permanent në Këshillin e Sigurimit.

Duke iu referuar kontributit që Këshilli i Evropës jep në rajonin e Ballkanit, ku Sekretari i Përgjithshëm Jagland ka pasur një rol të veçantë, Ministri në Detyrë Gent Cakaj i bëri me dije bashkëbiseduesit të tij se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë i shërben mbrojtjes së vlerave të organizatës, zhvillimit të standardeve lidhur me të drejtat themelore dhe përbën një vlerë të shtuar për organizatën në terësi.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Jagland, mbyll mandatin e tij të dytë në vjeshtën e këtij viti, për çka Ministri në Detyrë Cakaj e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin e organizatës dhe tejkalimin e problematikave dhe sfidave me të cilat ajo përballet nëpërmjet politikave reformuese.

Sekretari i Përgjithshëm e falënderoi Ministrin në Detyrë Cakaj për rolin pozitiv që vendi ynë ka luajtur, vlerësimet mbi raportin e tij rreth sfidave të ardhshme të Këshillit si dhe e përgëzoi për reformat e ndërmarra nga vendi ynë.


Meta në Turqi, takohet me Erdogan: Të rrisim bashkëpunimin ekonomik

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi ku është pritur në një takim nga presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Presidenti Meta ka postuar në facebook një foto të tijën nga ky takim, me homologun turk, ndërsa shkruan se të dy shtetet që kanë marrëdhënie tradicionale të shkëlqyera do të angazhohen më shumë në të ardhmen për të rritur bashkëpunimin ekonomik.


“Kënaqësi të pritesha në një takim të veçantë nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe të vlerësonim marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve dhe vullnetin e përbashkët për t’i zhvilluar ato më tej në të ardhmen.

Partneriteti strategjik midis dy vendeve është një platformë e shëndoshë, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit dhe përpjekjet e përbashkëta për paqe. Vumë theksin në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona”, shkruan Meta.

Kënaqësi të pritesha në një takim të veçantë nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe të vlerësonim…

Publiée par Ilir Meta sur Vendredi 3 mai 2019

Bebe Rexha takon Michelle Obamën dhe bën një parashikim për të

Këngëtarja amerikane me origjinë shqiptare Bebe Rexha është takuar së fundi me bashkëshorten e ish presidentit amerikan Barack Obama. Bebe performoi në një shfaqje në Universitetin Tampas në Florida. Pikërisht aty këngëtarja është takuar me Michelle Obama-n, e cila së fundi ka nxjerrë librin e saj autobiografik “Becoming”, dhe ka zhvilluar një sërë takimesh promovuese në të gjithë Amerikën.

Teksa është takuar dhe fotografuar me ish-zonjën e parë, Bebe Rexha publikoi një fotografi në Instagram duke parashikuar që Michelle në të ardhmen do të bëhet presidente e SHBA-së.


 “Me presidenten time të ardhshme, zonjën Michelle Obama”, janë fjalët e këngëtares shqiptare në mbishkrimin e fotografisë.

Duhet thënë se çifti Obama ka shumë mbështetës në botën e artit të SHBA.


Rama takon kryetaren e Socialdemokratëve, merr mbështetje për integrimin

Gjatë qëndrimit të tij në Berlin, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Kryetaren e Partisë Socialdemokrate Andrea Nahles, me të cilën ka diskutuar rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e njohu zonjën Nahles me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe pritshmërinë për një përgjigje pozitive nga vendet anëtare të BE për hapjen e negociatave.


Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kryeministrisë, zonja Nahles siguroi zotin Rama për mbështetjen e pakushtëzuar të grupit socialdemokrat për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Liderja e partisë Socialdemokrate, njëkohësisht dhe kryetare e grupit parlamentar, përgëzoi kryeministrin shqiptar për reformat e ndërmarra dhe u shpreh besimplotë për një vendim pozitiv në qershor.

Dje në Berlin u zhvillua samiti për Ballkanin Perëndimor, ky pjesë e tryezës ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili zhvilloi disa takime me kancelaren Merkel dhe Presidentin francez Macron.


Aleatët e Bashës, sot në zyrën e Metës për të gjetur zgjidhje

Sot në orën 11, krerët e partive të vogla, aleate të PD-së, do të zhvillojnë një takim me Presidentin Ilir Meta, për të diskutuar për situatën politike në vend dhe rrugët për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që koalicioni Opozitar të marrë pjesë në zgjedhje.

Pjesë e këtij takimi me presidentin do të jenë kryetarët e partive: PR, LZHK, PPA, PBDNJ dhe PDK, të cilët nuk janë regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit.


Kushti i Koalicionit Opozitar për të marrë pjesë në zgjedhje është krijimi i një qeverie transitore që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe te ndershme, si dhe dorëheqja e kryeministrit Rama.

Më herët Kreu i Shtetit u ka bërë thirrje partive që të tërhiqen nga sjellja konfliktuale dhe të dialogojnë në mënyrë që të zgjidhet kriza politike e kthyer në pengesë në hapjen e negociatave të integrimit.

Të shohim se si do të shkojë sot ky takim mes palëve.


Nga Korea në Rusi me tren, Kim Jong takim me Putin

Pas takimeve të zhvilluara me presidentin amerikan Donald Trump, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka udhëtuar me trenin e tij privat drejt Rusisë ku do të takohet me presidentin Vladimir Putin.

Kim Jong-un do të marrë pjesë në një samit që do të zhvillohet në qytetin rus Vladivostok ku do të diskutohet për çarmatimin bërthamor.


BBC shkruan se Kim Jong un pritet të kërkojë nga presidenti rus lehtësimin e sanksioneve në një kohë kur bisedimet me Shtetet e Bashkuara për çarmatim bërthamor, kanë ngecur.

Kim Jong-un ka zhvilluar dy samite me Donald Trump, por pa finalizuar një marrëveshje. Të shohim se si do të shkojnë bisedimet me Putin.


Skip to toolbar