Duke hedhur poshtë versionin e tij të mëparshëm për origjinën e pandemisë, Departamenti i Energjisë së SHBA-së ka përdorur prova të reja të klasifikuara për të arritur në përfundimin se koronavirusi SARS- CoV -2 ka shumë të ngjarë të ketë rrjedhur nga një laborator kërkimor kinez.
Përfundimi i ri, i bazuar në një raport të klasifikuar, për të cilin Shtëpia e Bardhë dhe anëtarët e Kongresit janë informuar dhe përmbajtja e të cilit zyrtarët nuk e kanë bërë ende të ditur u publikua në versionin e përditësuar të një botimi të vitit 2021 nga Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, sipas Wall Street Journal.
Pra, pas FBI-së, Departamenti Amerikan i Energjisë ka arritur në përfundimin se virusi ka dalë nga një laborator i Wuhan-it, megjithëse katër agjenci të tjera amerikane mbështesin ende teorinë se virusi është transmetuar përmes një kafshe nga tregu kinez i gjesë së gjallë, ndërkohë që CIA ende nuk ka një vendim përfundimtar për këtë çështje.
Ndryshimi i qëndrimit nga Departamenti i Energjisë të SHBA-së është i rëndësishëm pasi Departamenti ka një ekspertizë dhe njohuri të madhe dhe mbikëqyr laboratorë të ndryshëm të SHBA-së, disa prej të cilëve kryejnë kërkime biologjike, raporton abcnews.al.
Zyrtarët amerikanë thanë për WSJ-së se ndërsa FBI dhe Departamenti i Energjisë kanë rënë dakord, ata arritën në këto përfundime për arsye të ndryshme. Dhe sigurisht FBI ka një ekspertizë për sëmundjet dhe virologjinë pasi punëson mikrobiologë dhe imunologë si pjesë e hetimeve të saj për mbrojtjen e SHBA-së nga bioterrorizmi dhe armët biologjike.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha për CNN të dielën se “ende nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare” në lidhje me burimin e koronavirusit.
“Ja çfarë mund t’ju them. Presidenti Biden i ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme çdo element të komunitetit tonë të inteligjencës që të kushtojë të gjitha përpjekjet dhe burimet për të hetuar këtë çështje”, tha ai.
“Nëse marrim më shumë informacione, do ta ndajmë me Kongresin dhe do ta ndajmë me popullin amerikan gjithashtu, por për momentin nuk ka një përgjigje përfundimtare nga komuniteti i inteligjencës në lidhje me këtë çështje”.
Skenari i rrjedhjes së koronavirusit nga një laborator në Ëuhan fillimisht u hodh poshtë si një teori konspirative dhe ksenofobike, por një numër në rritje shkencëtarësh besojnë se virusi mund të ketë rrjedhur gjatë një incidenti në Institutin e Virologjisë të Metropolit Kinez (WIV). Objekti i kërkimit është më pak se 15 km nga tregu i gjesë së gjallë ku u regjistruan rastet e para të Covid-19 te njerëzit, raporton abcnews.al.
Disa ekspertë pohojnë gjithashtu se proteina “Spike” që koronavirusi përdor për të infektuar njerëzit tregon shenja që mund të jetë i krijuar nga një laborator. Por të tjerët i kanë konsideruar këta skenarë të pamundur dhe thonë se ka disa prova indirekte që koronavirusi u kaloi nga kafshët tek njerëzit.
Dëshmitë e origjinës natyrore ose të krijuar nga njeriu të koronavirusit nuk janë bërë publike.