Raporti i Komisionit të Jashtëm të Bashkimit Europian zbriti në parlament. Mazhoranca e lexonte pozitivisht, ndërsa opozita e tkurrur me 11 të pranishëm ishte e bindur se doktori i tyre e di më mirë.
Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali për të dytën herë radhazi u shpreh e indinjuar për fjalimet e Berishës në Bruksel. Sipas saj, ndryshe nga raporti, doktori po i bën një dëm të madh imazhit të vendit.
“Dua të shpreh indinjatën tim nga këto aksione, në Bruksel shkoni dhe nuk i bëni opozitë qeverisë por Shqipërisë. Thuhen të pavërteta halucinante, as në realitet as në raport, kur Shqipërisë këto akuza nuk ja bëjnë as armiqtë e përbetuar, ja bën lideri i opozitës”
Por dy luanët e doktorit ishin gati për replikë. Të paktën, me gjuhën e tyre, e mbuluan mungesën e Berishës në parlament për shkak të takimeve në Bruksel.
“Na thoni këtu se europianët thonë shtet ligjor. Po po shtet ligjor, se në Durrës ligjin e bëjnë troplinët, në Elbasan Çelat, në Vorë Xhabafti”
“Elisa Spiropali, ishte zgjuar e tronditur sot, por ne disa të vërteta do i themi. Ne duam anëtarësim në BE, por me standarde zgjedhjesh si në Gjermani, Itali e Francë”
Nga mazhoranca socialiste, ish-pastori Toni Gogu kishte një uratë, kurse Taulant Balla një këshillë.
“Zoti e shpëtoftë Shqipërinë nga ata që duan ta djegin vendin se nuk e qeverisin dot”
“Më çuan ca eurodeputetë një letër, Saliu u kërkonte të bllokonin negociatat, mos hapnin grupkapituj. Merreni mbylleni në shtëpi, se na turpëroi”
Por se sa ka kërkuar doktori bllokimin e negociatave, e zbulon vetë Bardhi.
“Meqenëse zotërisë i kishin sjellë atë letër, dhe gënjeu hapur për atë, që ne kemi shpërndarë në çdo kancelari europiane. Si ne, të njëjtën gjë keni bërë dhe ju, vetëm se ju skeni marrë autorësinë”
Me porosi të doktorit, nga Brukseli me nxitim erdhën delegatët, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi, për të thënë se Berisha e kishte lexuar drejt raportin.
Por kur aksioni dyorësh i opozitës përfundoi, i vetmi opozitar në sallë, Dashnor Sula i bëri një dush të ftohtë.
“Nuk na i bëri Rama, ia bëmë vetes. Doktor nëse të dhimbset ende kjo parti, tërhiqu, shijo nipër e mbesa”
Kurse Berisha vëzhgonte nga Brukseli. Dhe nuk i shpëtoi një takim në kafen e Parlamentit Europian me raporterin e Shqipërisë në BE, Andreas Sheider.
Sipas njoftimit, doktori i bëri të qartë se Shqipëria është narkoshtet, dhe të garantohen standarde të qarta në rrugën e anëtarësimit.
Por, nuk kanë zbardhur përgjigjen e Sheider, i njëjti i cili hartoi raportin për Shqipërinë dhe e cilësoi vendi i parë në garën për të hyrë në BE.