Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit për lirinë e mediave nga organizata “Reporterët pa kufij”. Ky raport nuk ishte aspak pozitiv për Shqipërinë, që kishte rënë në listë me plot 7 vende duke u renditur në vendin e 82-të. Meta e cilësoi raportin si një kambanë alarmi që do të ndikojë edhe në rrugën e vendit drejt integrimit Europian.
“Me shqetësim të thellë përcolla sot konkluzionet e organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, për regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias. Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias dhe paralajmërimi serioz i këtij raporti se “rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë”, është një kambanë e fortë alarmi që duhet të na zgjojë të gjithëve.” – tha Meta
Meta e cilësoi lirinë e shprehjes si të drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë të pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike.
“Në mënyrë të përsëritur kam dënuar me ashpërsi të gjitha sulmet dhe çdo akt dhune ndaj gazetarëve, që fatkeqësisht janë shpeshtuar kohët e fundit. Sërish apeloj me forcë që autorët e krimeve ndaj përfaqësuesve të medias të vihen menjëherë para drejtësisë dhe t’i jepet fund shantazhit, intimidimit apo çdo lloj tjetër presioni ndaj tyre.” – thuhet në deklaratë