Shkodra përplas qeverinë me opozitën parlamentare, për dekriminalizimin

Më të fundit


Me nisjen e sesionit të ri parlamentar të Kuvendit, kreu i grupit socialist Taulant Balla ka folur edhe për rastin e Shkodrës dhe ndryshimet që duhen bërë për dekriminalizimin. “Një kuadër ligjor me shumë mungesa” do e cilësonte Balla këtë ligj, duke shtuar se qeveria ka gati amendamentet për ndryshimin e dekriminalizimit dhe do i dorëzojë ato në komisionin e reformës zgjedhore, për të shmangur hyrjen në politikë të personave me precedentë penale. Balla tha se për raste të tilla nuk ka pse të mbajë përgjegjësi partia, por individi, pasi është një përgjegjësi individuale mashtrimi me plotësimin e formularit të dekriminalizimit.

“Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me çdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që ti shqyrtojë” tha ai.


Por duket se për Rudina Hajdarin kjo nuk është aspak e vërtetë. Hajdari tha se fajin nuk e ka ligji, por kryetarët e partive që kanë marrë partitë në dorë dhe vendosin për gjithçka pa pasur demokraci të brendshme në parti.  Ajo tha se për sa kohë kryetarët kanë partitë në dorë, njerëz të tillë do vijnë si nga PS, PD apo LSI.

“Nëse do të flisni për shkaqet e sistemit duhet të shikoni se çfarë ka ndodhur sot në Shqipëri. Pse mendoni se e ka fajin ligji, që duhet të bëhet më i fortë, por jo ju, që e zgjodhët. Jeni ju ata që i sillni ata njerëz këtu në parlament. Nëse kreu i PS-së, PD-së, apo LSI-së do të vijojnë që të kenë dorë në partitë e tyre, ju do të vijoni që të sillni njerëz të tillë” tha ajo.

Nisma për forcimin e ligjit të dekriminalizimit, vjen pas rastit të Shkodrës kur kryetari i sapozgjedhur i bashkisë, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi PD i zbuloi disa dokumente ku rezultonte i dënuar në Itali. Pjetri e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit, ndërsa dha dorëheqjen pa u betuar si kryebashkiak i ri. Nga ky rast u distancua edhe PS, e cila deklaroi se përgjegjësia për këtë është personale dhe jo e partisë.




Skip to toolbar