Hajdari: Marrëveshja Basha-Kryemadhi e bëri Ramën perandor

POLITIKË


Fakti që PS ka të gjitha pushtetet në dorë është totalisht faji i Bashës dhe Kryemadhit. Kjo ishte deklarata që kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari dha në nisje të këtij sesioni të ri. Hajdari u shpreh e bindur se marrëveshja e Bashës me Kryemadhin për të djegur mandatet ishte vetëm si pjesë e marrëveshjes PS-PD për ta bërë Edi Ramën perandor. Fakti që Rama ka të gjitha pushtetet tha Hajdari është faj i vetëm i opozitës që vendosi të digjte mandatet.

“Më lejoni të them se nuk ka asnjë dyshim se ne këtu kemi një nga korrupsionet më të larta. Jemi me një qeveri që nuk di të menaxhojë ekonominë e vendit. Nuk ka vullnet për të nxjerrë para përgjegjësi zyrtarët e lartë, apo për të hapur dosjet 339 apo 184, ato do të mbyllen dhe këta zyrtarë nuk kanë për të parë asnjë ndëshkim të dëshiruar nga shqiptarët apo ndërkombëtarët. Por kush është fajtor? Përpara 25 qershorit kishim një qeveri tranzitore dhe marrëveshje Rama-Basha. Kjo dështoi dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kush e bëri Edi Ramën perandor? Kjo ishte një marrëveshje tjetër mes Bashës dhe Kryemadhit. Ata kërkuan djegien e mandateve dhe dhënien e të gjitha pushteteve” tha Hajdari, e cila shtoi se reforma zgjedhore është e vetmja që mund të parandalojë marrëveshje të tilla në dëm të demokracisë dhe qytetarëve. Hajdari tha se përmbyllja e reformës zgjedhore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është jetike për të luftuar futjen e të inkriminuarve në sistem dhe se do të luftojë fort për ringritjen e të djathtëve duke shkuar në çdo qytet dhe fshat për t’i dhënë zë çdo qytetari.


“Kuvendi arriti që të jetë produktiv pavarësisht djegies së mandateve nga opozita. Duhet të mbyllim reformën zgjedhore, që shqiptarët t’u japim zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne do të kemi mbështetje të gjerë në grupet e opozitës dhe do të shkojë përpara, të vizitojmë çdo qytet dhe fshat për t’i treguar platformën dhe alternativën e vërtetë demokrate. Rama është i mbrojtur nga Basha dhe Kryemadhi. Përballë kësaj qeverie, unë dhe grupi demokrat dhe kushdo tjetër për ringritjen e së djathtës shqiptare është i mirëpritur për të shkuar në qytet në qytet dhe fshat në fshat për t’i dhënë çdo qytetari një zë për të vendosur demokracinë në vend” tha Hajdari.




Skip to toolbar