Real Story në News 24 pas një jave

#NËRADAR


Real Story nis sezonin e ri më 16 shtator në News 24. Nisjen e sezonit të ri, i pari në News 24, e ka lajmëruar vetë autori i emisionit më të madh politik në vend, gazetari i njohur Sokol Balla. Me një njoftim në rrjetet sociale, gazetari Balla ka lajmëruar nisjen e Real Story me një mënyrë të veçantë, jo formale dhe intriguese, duke përçuar edhe një mesazh të fortë, i cili nga fundi i sezonit është sulmuar nga dy protagonistë të politikës shqiptare, kreu i shtetit dhe kreu i opozitës.

“Naked. Talking under water. Hurt, but alive. The truth. Real Story. 16 shtator 2019. 21:00h @news24albania (përkthim red. Lakuriq. Duke folur në ujë. E lënduar, por gjallë. E vërteta…)”, janë fjalët e përdorura në mesazhin e gazetarit Balla në Instagram, që në këtë sezon do të jetë katër herë në javë nga e hëna në të enjte, nga ora 21:00-23:00, bashkë me Arjan Vasjarin, Skënder Minxhozin, Agron Gjekmarkajn, Eduard Zaloshnjën dhe analistë të tjerë. Madje, mesazhi është shkruar anglisht nga Sokol Balla, në gjuhën që përdor edhe SHBA, ndoshta për të kujtuar se ata që e sulmuan, me deklaratat e tyre, nuk po cenojnë vetëm mediat e lira, por në shënjestrën e tyre kanë qenë edhe marrëdhëniet me amerikanët.

Gjatë verës, gazetari Balla ishte në qendër të sulmeve të paprecedentë si nga kreu i shtetit, Ilir Meta, i cili e kërcënoi duke i përmendur fëmijët, ashtu edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili nëpërmjet një qarkoreje drejtuar strukturave të PD, bojkotonte Real Story, duke e akuzuar se ishte vegël propaganduese e Edi Ramës dhe duke iu frikësuar analizave kritike si të emisionit ashtu edhe portalit informativ realstory.al.



Skip to toolbar