Reforma e ujit, Shqipëria firmos dy marrëveshje me Gjermaninë

AKTUALITET


Shqipëria dhe Gjermania nënshkruan të premten dy marrëveshje të rëndësishme në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Marrëveshja e parë, e firmosur nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dhe Amabsadori i Gjermanisë në Tiranë Peter Zingraf, parashikon një program të pestë për infrastrukturën komunale. Nga ky program, bashki të cilat kanë përfituar më parë nga qeveria gjermane, do të përfitojnë përsëri për të pëfunduar projektet e nisura në sistemimin e rrjetit të kanalizimeve.

“Gjermania është një ndër partnerët më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë dhe partneri më i madh përsa i përket mbështetjes financiare në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Dy marrëveshjet, që firmosim sot vijnë në kuadër të zbatimit të reformës kombëtare në këtë sektor, me qëllim përmbushjen e kërkesave të legjislacionit europian për ujin. ‘Programi V për infrastrukturën komunale’, është në vijim të katër programeve të mëparshme dhe mbështetet në suksesin, që ato kanë pasur në përmirësimin e ndjeshëm të furnizimit me ujë, në zonat ku është investuar”, u shpreh Balluku gjatë fjalës së saj.

Marrëveshja e dytë, parashikon zbatimin e parimeve udhëzueseve të reformës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve nga ana e aktorëve kombëtarë bashkiakë. Ky program parashikon forcimin e kapaciteteve, duke u orientuar drejt përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Marrëveshja e dytë, që nënshkruajmë sot ka si objektiv parësor zbatimin e parimeve udhëzuese të reformës së sektorit të ujësjellës-kanalizimeve nga ana e aktorëve kombëtarë e bashkiakë, veçanërisht orientimin në mënyrë të koordinuar drejt performancës dhe përgjegjshmërisë. Ky program është krejtësisht i orientuar drejt konsumatorit dhe performancës së shërbimeve të furnizimit me ujë, si fondi i garancisë për reformën e sektorit të ujësjellës kanalizimeve. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve do të marrin mbështetje institucionale, për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e reformës me qëllim përmbushjen e kritereve të programit”, nënvizoi Balluku.

Nga ana e tij, ambasadori Zingraf tha se në fokus të mbështetjes së Qeverisë Federale Gjermane do të jenë 11 ndërmarrje të ujësjellësve, të cilat mbulojnë 80 përqind të popullsisë në Shqipëri duke përfshirë këtu edhe formimin dhe kualifikimin e ekspertëve në mënyrë që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit.

“Në fokus të projektit do të vazhdojë të mbetet mbështetja e 11 ndërmarrjeve më të mëdha të ujësjellësve, përmes të cilave mbërrihet në më shumë se 80 përqind të popullsisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të mbërrijmë, duke pasur efekte pozitive në jetën e shumë qytetarëve shqiptarë. Përmes masave të mirë orientuara në formimin dhe kualifikimin e ekspertëve synohet, që këta të fundit të mund të reagojnë më mirë ndaj kërkesave të sektorit. Po kështu, me ngritjen e kapaciteteve synohet aftësimi i institucioneve për të menaxhuar në mënyrë të përshtatshme edhe investimet në kuadër të bashkëpunimit financiar”, u shpreh ambasadori Peter Zingraf.

“Programi Infrastruktura Komunale V”, që përfshin bashkitë Shkodër, Lezhë, Kamëz, Elbasan, Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet KfË, Qeveria Zviceriane nëpërmjet SECO, Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF dhe IPA 2018. Programi në vetvete do të implementohet në dy faza, faza përgatitore dhe faza e zbatimit.



Skip to toolbar