Peticioni, 30 mijë njerëz: Anuloni “Nobelin” e Handke

AKTUALITET


Në më pak se 24 orë, 30.000 shqiptarë votuan një peticion online, ku kërkohet që të tërhiet Çmimi Nobel për Letërsi dhënë shkrimtarit austriak Peter Handke. Në peticionin online, të nisur nga revista letrare “Kult Plus”, qytetarët shqiptarë i janë bashkuar thirrjes për të firmosur kundër shkrimtarit austriak.

Në relacionin e peticionit thuhet se: “Ai konsiderohet si një shkrimtar i shquar, me stil të veçantë prozaik, por krahas saj Handke njihet në mbarë botën për mbrojtjen e vazhdueshme për kriminelin serb. Kjo edhe e bën shkrimtar që shkakton shumë polemika. Për Handken, gjithë ajo çfarë ka bërë Millosheviçi ka qenë “për ta mbrojtur popullin e tij”, këto i tha në funeralin e serbit, në Beograd, para një turme të madhe të nacionalistëve radikalë serbë”.


“Opinioni u befasua kur Akademia Suedeze ndau një çmim prestigjioz siç është “Nobeli” për arritjen në fushën e letrave – pikërisht këtij autori kontrovers, i cili në të shumtën e rasteve njihet më shumë për përkrahjen e vazhdueshme që i bëri Millosheviçit sesa për krijimtarinë letrare”, thuhet në relacion.

Fituesi i Nobelit për letërsi këtë vit, pavarësisht se vlerësohet si një shkrimtar i shquar, ai është një nga personat që përkrahu masakrat e regjimit të Sllobodan Millosheviçit ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve. Për këtë arsye, Peter Handke është kritikuar jo vetëm nga qytetarët shqiptarë, klasa politike, institucionet akademike, por edhe nga rrethet letrare ndërkombëtare.

Shumë shkrimtarë, kolegë të austriakut, shfaqën haptazi pakënaqësinë ndaj Akademisë Suedeze, që zgjodhi Peter Handke si fitues të Nobelit të Letërsisë për këtë vit. Reagimi kundër është i fuqishëm, por ende nuk dihet nëse Akademia Suedeze do të tërheq Nobelin dhënë Peter Handke, apo jo. Ky është skandali i dytë radhazi që  përfshin Akademinë Suedeze pas atij të vitit 2018, kur Çmimi Nobel u tërhoq, duke u dhënë këtë vit përsëri.




Skip to toolbar