Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përgënjeshtruar presidentin Ilir Meta lidhur me akuzat e tij për kapjen e Reformës në Drejtësi nga qeveria “Rama” dhe vonesat e sjella në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ministres qeveria nuk ka asgjë në dorë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe se vonesat në këtë drejtim i kanë shkaktuar presidentët Nishani e Meta.
“Aspekti i dytë në të cilën doja të ndalesha te deklarata e presidentit, është fakti që ai artikulon se kryeministri, qeveria dhe mazhoranca janë përgjegjëse për mosngritjen e Gjykatës Kushtetuese duke sjellë çështjen e intimidimit të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në fakt nuk është absolutisht e vërtet.
E para, nëse i kthehemi pas kohës që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese më 22 korrik 2016, vonesat e para vijnë nga dakordësia që opozita duhet të jepte për miratimin e shtatë ligjeve të tjera të reformës të cilat ishin plotësuese dhe në zbatim të ndryshimeve kushtetuese.
Nëse marrim ligjin e fundit të paketës së 7 ligjeve që kanë të bëjnë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ai ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2016, që do të thotë se vonesa e parë prej 6 muajsh është krijuar pikërisht për mungesën e dakordësisë së Partisë Demokratike.
Presidenti Nishani, në tetor 2016 sipas parashikimeve kushtetuese duhet të ngrinte procesin për ndërtimin e procesit të vettingut, presidenti Nishani nuk e ushtroi funksionin dhe përgjegjësinë e tij që e kishte detyrim për t’i ngritur dhe për të ndihmuar ngritjen e komisioneve.
Më pas, nëse kthehemi në kohë, presidenti Nishani duhet të hidhte shortin për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjithashtu për herë të dytë ai nuk e kreu detyrën e tij”, u shpreh Gjonaj, duke sjellë në vëmendje edhe shortin e hedhur nga kreu i Kuvendit Ilir Meta në Janar të vitit 2017 për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk funksionoi duke mos pasur asnjë pengesë ligjore.
“Nëse Presidenti do të ishte vërtetë i shqetësuar për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, do të duhej të kishte hedhur shortin e KED-së, si në vitin 2017, ashtu edhe në vitin 2018. Nuk e bëri”, tha Gjonaj në një intervistë në Ora news.
Gjatë të mërkurës në një analizë të gjatë Presidenti Meta akuzoi Ramën se kishte penguar ngritjen e KED dy vite rresht, pasi sipas tij nuk i kishin pëlqyer emrat e përzgjedhur të anëtarëve. Por pas një verifikimi të bërë nga Realstory rezultoi se shumica e anëtarëve të përzgjedhur për KED në dy vite rresht nga Meta janë përjashtuar nga procesi i vettingut. Pra presidenti kërkonte të mbante në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar që janë larguar tashmë nga procesi i vettingut.